Sunday, November 24, 2024

Përflitet për të marrë drejtimin e Partizanit, por Tomas Brdariç, pritet të firmosë në Gjermani

Lexo

Tomas Brdariç është një nga emrat më të përfolur këto javët e fundit sa u përket stolave të ekipeve të Kategorisë Superiore, me gjermanin që është përmendur së fundmi edhe në lidhje me drejtimin e Partizanit sezonin e ardhshëm. Në fakt, në një komunikim të shkurtër elektronik, 47-vjeçari ka qenë evaziv kur u pyet për mundësinë e ardhjes në krye të stolit të të kuqve kryeqytetas. “Nuk e di, askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”, – ka deklaruar posaçërisht për RTSH Sport.

Megjithatë, në një intervistë dhënë të martën për versionin gjerman të faqes së njohur të profilizuar sportive, “Transfermarkt” ish-lojtari i përfaqësueses gjermane ka deklaruar: “Detyra ime hëpërhë është që të gjej një sfidë të re dhe tashmë në tregun gjerman të trajnerëve”. Vëmendja kryesore e ish-trajnerit të Vllaznisë, është infrastruktura profesionale. “Edhe një klub ambicioz që do të ngjitet lart nga kategori e 3-të dhe ka një infrastrukturë të kënaqshme, unë mund ta ndihmoj të rritet me përvojën time, ka thënë Brdariç për faqen në fjalë.

Gjermani që fitoi edhe Çmimin e “Trajnerit të Vitit” në fund të 2021-shit, u largua pak javë më parë nga Vllaznia, edhe pse që nga nëntori i vitit të shkuar, skuadra e tij pësoi vetëm 2 humbje në 21 ndeshje, me 11 fitore dhe 9 barazime. “Natyrisht që do të më pëlqente të mbroja trofeun e Kupës së Shqipërisë, të fituar sezonin e shkuar, – thotë gjermani, duke folur në vijim për “Transfermarkt”. – Unë prapëseprapë i ndjek ndeshjet e djemve dhe rezultatet e tyre”.

Në fakt, që nga largimi i Brdariçit, Vllaznia ka fituar vetëm njërën nga 6 ndeshjet e fundit. “Ai me të vërtetë bëri dallimin dhe stili i tij i lojës sulmuese tashmë vlerësohet lart”, – pati deklaruar ish-lojtari i Kombëtares kuqezi, Altin Lala, duke vlerësuar punën e bërë nga ish-shoku i tij i skuadrës te Hanover ’96-ta, në një intervistë të dhënë në fillim të këtij viti për gazetën gjermane “Neue Presse”.

Tanimë mbetet për t’u parë se ku dhe si do të jetë e ardhmja e Tomas Brdariçit në muajt në vijim. “Pyetja gjithmonë është: Në cilin treg synon të hysh, – thotë 47-vjeçari, duke folur për median gjermane në fjalë. – Unë jam në një fazë ku mendoj se jam në kulmin e moshës për një trajner. Kam fituar goxha përvojë, nuk jam i lodhur dhe jam plotësisht i motivuar”, – ka përfunduar ish-trajneri i Vllaznisë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img