Një tjetër basketbollist i Vllaznisë vendosë të largohet nga Shkodra. Situata problematike që po kalojnë lojrat me dorë, përfshirë edhe basketbollin, të cilët si rezultat i masave të marra për Covid-19 nuk lejohen të zhvillojnë kampionatet kombëtare, po detyron sportistët e Vllaznisë të largohen nga Shkodra. Dhe, kjo më shumë se në të gjitha ekipet e tjera po ndodhë tek ai i basketbollit meshkuj, prej të cilit po largohet një nga një titullarët me peshë të formacionit kuqeblu. Pas kontigjentit amerikan që la Shqipërinë rreth një muaj më parë, si dhe më pas edhe të kapitenit Robert Shestani që kaloi në Kosovë tek Vëllaznimi i Gjakovës, tashmë është radha e Julian Hamatit të bëjë të njëjtën gjë. Nga sa bëhet e ditur, edhe Hamati ka zgjedhur Kosovën për të vijuar karrieren e tij sportive duke firmosur për KB Bashkimi
“Reprezentuesi i kombëtares shqiptare, Juljan Hamati, është përforcimi më i ri i skuadrës tonë. Hamati është 199 centimetra i gjatë dhe luan në pozitën e alos. Ai më parë ka qenë pjesë e skuadrave si Kamza Basket, Teuta dhe Vllaznia. 28 vjeçari së fundi ka treguar paraqitje të mira edhe me Shqipërinë në parakualifikimet për Eurobasket 2023, duke luajtur me 13.5 pikë e 2.5 kërcime në dy ndeshjet e fundit të nëntorit. Hamati ka nënshtetësi të Shqipërisë dhe sipas Propozicionit të Garave për edicionin 2020/21 të FBK-së, do ta ketë statusin e lojtarit vendor në skuadrën tonë.”,-shkruhet në në njoftimin zyrtar që klubi prizrenas publikoi mbrëmjen e së shtunës në faqen e tij.