Tuesday, November 26, 2024

Spektakël në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Vllaznia fiton finalen e dytë, Play Off. Mund Teutën 90 me 71 duke barazuar fitoret në 1-1

Lexo

Vllaznia-Teuta 90-71

(21-20, 31-20, 18-13, 20-18)

Vllaznia: Tomer(15), Rakaj(10), Shestani(10), Butler(20), Cooper(10)/ Dobbs(14), Memçaj(11), Gjeçaj, Kruja, Shabani. Trajner: Damian Bekteshi

Teuta: Gorea, Core(20), Bruce(4), F. Lilaj(19), Peterson(14), Cashman(1), Beich, Ndreca(13), R. Lulaj. Trajner: Melzin Lazimi

Gjyqtar: G. Hoxha, E. Gjoni, A. Balliu

Vllaznia në basketboll për meshkuj ka kaluar me sukses finalen e dytë të fazës Play Off duke mundur Teutën me rezultatin 90-71. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së mërkurës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës u përshkua me faza shumë interesante.

Fitorja e Teutës në finalen e parë të luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit me shifrat e thella 86-68, bënte që Teuta potenciale e këtij sezoni sportiv, të konsiderohej favorite për ta fituar edhe ndeshjen e dytë. Por, ndryshe kanë menduar në kampin kuqeblu, të cilët kanë befasuar me lojën e tyre tejet cilësore. Të mbështetur nga një tifozëri shumë entuziaste, që pa as më të voglin dyshim meriton notën dhjetë, Vllaznia e drejtuar me kompentencë nga trajneri Damian Bekteshi e ka mbyllur periodën e parë në fitore, me shifrat 21-20.

Në dhjetë minutat e periodës së dytë, kuqeblutë janë të papërmbajtshëm në fushën e lojës, gjë që shpërblehet me fitoren e kësaj periode 31-20. Në pushimin mes dy pjesëve, Vllaznia shkon me avantazhin e 12-të pikëve diference, 54-40.

Me rikthimin në fushën e lojës për dy periodat e tjera, Vllaznia duket e vendosur për të mos e  lëshuar që fitorja t’i ikë nga duart. Madje, duke e fituar edhe periodën e tretë 22-11, djemtë kuqeblu të drejtuar nga trajneri, Damian Bekteshi e shikojnë veten në  avantazh të ndjeshëm 70-51.

Perioda e katërt dhe e fundit ka më shumë rivalitet. Teuta kërkon që të mos dorëzohet dhe ka disa momente të mira duke e ulur ndjeshëm diferencen e pikëve në favor të Vllaznisë, por pushimet dhe ndërrimet e shpeshta të aplikuara nga trajneri Bekteshi, e stabilizojnë situatën duke bërë që perioda e katërt të mbyllet në barazim 20-20. Ndërkohë, ai më i rëndësishmi, rezultati i përgjithshëm i gjithë takimit është në shifrat 90-71 në favor të Vllaznisë.

Një fitore kjo shumë e rëndësishme për fatet e vazhdimësisë së luftës për fitimin e titullit kampion. Por, krahas të tjerave, shumë e rëndësishme është kjo fitore edhe për faktin se arrihet edhe përmes kontributit maksimal të treshes shkodrane, Shestani-Memçaj-Rakaj. I pari si kapiten dhe dirigjent me përvojë në udhëheqje të skuadrës, ndërkohë që dy të tjerët, tashmë të fituar si djem të talentuar të basketbollit shqiptar, çka garanton një të ardhme të sigurtë të skuadrës kuqeblu.

Kësisoj, kjo fitore e mbrëmjes së sotme për Vllazninë, bën që rezultati i ndeshjeve finale të barazohet 1-1. Finalja e tretë, nga pesë të tilla që përmban rregullorja e Federatës Shqiptare të Basketbollit për finalen e fazës Play Off, do të luhet këtë fundjave, të shtunën në pallatin e sportit, “Ramazan Njala” të Durrësit. Ajo skuadër që do të arrijë të realizojë tre fitore, shpallet fituese e titullit kampion për sezonin sportiv, 2021-2022.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img