(Video) Histori sportive-Me Arben Rrjollin, kampionin e Atletikës dhe Handballit shkodran. Atleti i vetëm shkodran që ka kërcyer mbi 2 metra dhe shpallur kampion me Vllazninë në Handball

Lexo

- Reklamë -spot_img

Personazhi i rubrikës “Histori sportive” në Veriu Sport, është një sportist shkodran që sukseset e tij i arriti në dy sporte.

Ai është Arben Rrjolli, i cili karrieren e tij sportive e nisi me atletikën dhe e mbylli me handballin.

Lidhjen me sportin, Beni e pati patjetër edhe nga tradita familjare, kur kemi parasysh babain e tij, Mehdi Rrjolli, ish volejbollist, ndërkohë që për disa vite me radhë ishte përgjegjësi i ekipit të Vllaznisë së basketbollit meshkuj, për të vijuar me dy xhaxhallarët, Fejzinë në futboll dhe Sabrinë në gjimnastikë.

Atletika

Hapat e parë me sportin e atletikws, Arben Rrjolli i hodhi në shkollën 8-vjeçare “10 Korriku” të atëhershme, për të mos vonuar që të t’i bashkohet ekipit të parë nën drejtimin e trajnerit Rrok Hila, ku së bashku me kolegët e tij të afërt, Arben Mlloja, Sokol Hoti, Ardian Miloti, Pjerin Tafili, Abdullah Shoshi, Kujtim Rrjolli, etj, paten rezultate të larta.

Me Arben Mllojen dhe Sokol Hotin, Arben Rrjolli vijon me sukses karrieren sportive edhe në Klubin Sportiv Partizani dhe në vazhdim edhe me ekipin kombëtar, si pjesë e konkurimit në disiplinat kërcim së larti, vrapimin 400 m, kërcimin tre hapsh, etj.

Ajo që e bën më të spikatur Arben Rrjollin ka të bëjë me garën e kërcimit së larti, i cili mbetet edhe sot si shkodrani i vetëm që ka arritur të kalojë kufirin e lartësisë mbi 2 metër.

E veçantë

Një kuriozitet, që ndoshta haset për herë të parë në histori sportive, ka të bëjë me Arben Rrjollin. Gjithçka lidhet me këpucët e sportit, ku me numrin 45 që dispononte Beni u shndërrua në problem. Siç pohon edhe ai në intervistën shoqëruese të shkrimit tonë, numrin  45 të këpucës sportive me thumba për kërcyeshmëri, nuk arriti ta gjente, as te Vllaznia dhe as te Partizani, sepse furnizimet vinin deri tek numri 42. Në ndihmë të zgjidhjes së këtij problem vjen një këpuctar veteran, shumë i njohur në Shkodër,  Ymer Zaganjori, dyqani i të cilit ka qënë në pijacen e Shkodrës. Me mjeshtrinë e tij artizanale, Zaganjori e pret në mes këcucën dhe duke i shtuar një shtresë nga poshtë dhe anësore, bën ngjitjen e duhur dhe fikson këpucën me numrin e duhur 45, me të cilën Ben Rrjolli zhvilloi shumë gara të suksesshme, kombëtare dhe ndërkombëtare.

E megjithatë, falë edhe një dëmtimi që e mundoi për disa muaj, Beni detyrohet të ndërpresë atletikën, por kurrësesi sportin, sepse shumë shpejt lidhet me handballin.

Handballi

Falë konstruktit të përshtatshëm fizik, trajneri i atëhershëm i Vllaznisë në handball, Lek Sinishta, e fton menjëherë në skuadër ku shumë shpejt fiton rolin e titullarit. Nuk vonon fitimi i titullit kampion dhe fitues i Kupës së Republikës me Vllazninë, ndërkohë që është pjesë e rëndësishme e kombëtares së Shqipërisë.

Ashtu si edhe shumë bashkëqytetarë të tij të fushës së sportit, largohet nga Shqipëria në vitin 1997 për t’u vendosur në Itali, ku jeton prej 30-të vitesh, atje ku pati edhe një përvojë me sportin.

Italia

Ndërkohë, në Itali janë djemtë e tij që kërkojnë të vazhdojnë traditën familjare të sportit, ndër të cilët Arditi preferon futbollin, madje arrin të ngjit me radhë kategoritë e futbollit italian, por një dëmtim i rëndë në gju gjatë një përplasje me një sulmues kundërshtar e detyron të shkëputet nga futbolli, por që ndonëse të vegjël në moshë, djali dhe sidomos vajza e tij kanë premisa të behen pjesë e sportit.

E ndërsa vazhdojmë të regjistrojmë në video ecurinë e karrieres sportive të Arben Rrjollit, dhe familjes Rrjolli në përgjithësi, pjesë të kësaj historie, Beni bën edhe bashkëshorten e tij, Afërditen, jo në parametrat sportiv, por duke pasur në shtëpi katër sportistë, bashkëshortin dhe tre djemtë, i është dashur të lodhet jo pak në krijimin e kushteve komode, jo vetëm në trajtimin ushqimor, por edhe në kujdesjen për uniformat e tyre sportive.

(Video) Intervistën e plotë me ish atletin dhe handballistin kampion, Arben Rrjolli dhe djalin e tij, Arditin, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img