Monday, November 25, 2024

Kastrioti-Vllaznia? Imeri: Respekt për trajnerin Ndreu, por nesër fiton Vllaznia

Lexo

Përpara se të vishej kuqeblu, shqiptaro-maqedonasi, Demir Imeri, ka luajtur edhe me Kamzën duke pasë një njohje të afërt edhe me trajnerin Ramadan Ndreu, të cilin e vlerëson për aftësitë e tija si teknik. Nesër, Kastrioti i Ndreut do të përballë Vllaznisë, ndeshje e cila do të luhet në stadiumin e Kamzës. “Kastrioti duhet vlerësuar shumë. Kam punuar me profesor Ndreun, e njoh grintën dhe mentalitetin e tij, por ne do të japim më të mirën në fushë. Nesër besoj se do të jetë një ndeshje me shumë grintë dhe besoj se do të vendosin detajet, detajet shumë të vogla dhe për mendimin tim besoj se do t’i shfrytëzojmë ato detaje dhe shpresoj të marrim pikët maksimale nga Kamza.”, u shprehë Imeri.

Deklaratën në fjalë, ai e dha gjatë konferencës për shtyp 24 orë përpara ndeshjes, ndërkohë që në vijim përcolli konsiderata për mikpritjen dhe ambientimin e shpejtë me skuadrën e re kuqeblu. “Të them të drejtën ndjehem shumë mire në Shkodër. Vllaznia është një skuadër me djem shumë të mirë të cilët më kanë ndihmuar të ambjentohem shumë shpejt dhe ndjehem sikur të kisha shumë vite këtu. Po bëjmë mirë edhe në terren dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Këtu jam në një skuadër ku tifozët kërkojnë gjithmonë anën ofensive, atë të fitores. Më pëlqen kjo gjë sepse më ka ndodhur edhe me Shkëndinë e Tetovës ku ishte i njëjti presion për të fituar. Megjithatë tashmë jam mësuar me të.”, theksoi Imeri duke lënë të kuptohet se në të ardhmen mund të ketë një vazhdimësi bashkëpunimi mes palëve.

Mungesën e golit në kampionat ai e konsideron çështje kohe, pasi në kupë ka shënuar tre të tillë. “Kjo është e vërtetë, kam shënuar tre gola në kupë dhe kam dhënë dy asiste ndërkohë që më është anulluar goli i parë në ndeshjen me Apoloninë. Po bëj më të mirën, pres më shumë nga vetja sepse i di kualitetet e mia, por është mirë që skuadra po ecën mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.”, u shprehë Imeri duke parapëlqyer që goli në kampionat të vijë që në ndeshjen e radhës me Kastriotin.

Në fund, i pyetur nga gazetarët për pagat e prapambetura, Imeri u përgjigj: “Nuk jam kompetent për t’iu përgjigjur kësaj pyetje dhe besoj se ka njerëz të tjerë për t’iu përgjigjur. Ne jemi profesionistë dhe kur futemi në fushë, nuk e kemi mendjen askund tjetër përveçse tek ndeshja dhe harrojmë çdo gjë tjetër. Besoj se kjo çështje do të zgjidhet shpejt.”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img