Kategoria Superiore U-17 ka luajtur ditën e shtunë katër ndeshjet çerekfinale të këtij sezoni emocionues, që po shkon drejt fundit. Tetë skuadrat më të mira të Grupeve A dhe B u përballën ndërmjet tyre në fazën Play-Off, duke përcaktuar tashmë edhe katër ekipet gjysmëfinaliste, që do të luajnë për të arritur finalen e madhe.
Vllaznia e drejtuar nga trajnerët Edmond Doçi dhe Denis Zmijani, luajti takimin çerekfinal me Durrësin 04 dhe e kaloi me sukses duke fituar me rezultatin e pastër 3-0 duke siguruar kështu biletën për në gjysmëfinalen e këtij edicioni.
Një ndeshje, kjo e cila foli e tëra për shkodranët, ku dy ndër tre golat e shënuar kanë për autor sulmuesin Kevin Dodaj, i cili në këtë mënyrë kap kuotën e 25 gola të shënuar si më i miri golashënues i kampionatit U-17. Ndërkohë, goli tjetër është shnuar nga Klajt Halili duke e kualiufikuar Vllazninë në gjysëmfinale, aty ku gjen ekipin Internacional, i cili nga ana e tij eleminoi ekipin e Football Republic duke e mundur me rezultatin 2-0.
Gjysmëfinalisti i tretë i këtij sezoni është ekipi i Shënkollit. Lezhjanët triumfuan me shifrat 2-1 ndaj Teutës, në një ndeshje mjaft emocionuese, që nisi me dy gola të shënuar nga Shënkolli, ndërsa durrsakët tentuan të ndryshonin fatin e lojës pak minuta para fundit duke ngushtuar rezultatin me Hazisllarin, por nuk ia dolën dot.
Në ndeshjen tjetër çerekfinale, Pepa – Tirana, koha e rregullt e takimit u mbyll me rezultatin e njëjtë 1-1, por sipas rregullores, skuadra e Pepës prek gjysmëfinalen, pasi ekipi i renditur më mire në klasifikim kualifikohet për në fazën tjetër.
Kategoria Superiore U-17, ndeshjet çerekfinale:
FC Internacional 2-0 Football Republic
Durrësi 04 0-3 KF Vllaznia
Shënkolli 2-1 KF Teuta
Sh. F. Pepa 1- 1 KF Tirana (kalon Pepa sipas rregullores)
Kategoria Superiore U-17, çiftet gjysmëfinaliste:
Sh. F Pepa-Shënkolli
FC Internacional- KF Vllaznia