Tuesday, May 21, 2024

(Video) Inaugurohet salla e re e bilardos “Vllaznia”. Bilardisti shkodran, Xhevat Sokoli, bëhet fitues i Turneut Kombëtar

Lexo

Bilardoja shkodrane e ka filluar me fitore sallën e re të Shoqatës “Alfred Ashiku”. Në ditën e inaugurimit të saj, bilardistët e Vllaznisë kanë dalë fitues të turneut kombëtar të zhvilluar me pjesëmarrjen edhe të biladistëve të qyteteve të tjera të Shqipërisë.

Përmes një ceremonie modeste me pjesëmarrjen e dashamirësve të sportit të bilardos, jo vetem të Shkodrës, por edhe të ftuar nga qytetetet e tjerë të Shqipërisë, është bërë inaugurimi i sallës së re.

Kanë qënë dy ndër bilardistët më të njohur të qytetit të Shkodrës ndër vite, Nail Alushi dhe Xhevat Sokoli, të cilët kanë prerë shiritin e përurimit të mjediseve të reja. Një ceremoni që nuk kanë munguar edhe përshëndetjet e rastit, fillimisht nga  kryetari i shoqatës së bilardos “Alfred Ashiku”, Nail Alushi, për të vijuar me Zv.Presidentin e Federatës Shqiptare të Bilardos, Ardian Vorfa, si dhe me mysafirin nga Tirana, bilardin kampiuon, Edi Gjoni.

Në përshëndetjet e tyre, figurat e njohur të bilardos shkodrane dhe asaj tiranase, kanë vlerësuar traditën e  hershme të bilardos shkodrane, ndërkohë që kanë vënë në dukje, se me kushtet shumë të mira që janë krijuar me ndërtimin e sallës së re, bilardoja shkodrane do të ketë patjetër zhvillime të tjera, edhe më pozitive.

Referuar aktivitetit në fjalë, ndeshja më e bukur e këtij turneu ka qënë ajo e zhvilluar në mes bilardistit të Vllaznisë, disa herë kampionit Xhevat Sokoli dhe kampionit të Tiranës, Edi Gjoni. Pas një rivaliteti të fortë në disiplinën e karrambolit me tre sponta, ku kanë spikatur disa barazime radhazi, në pikët e fundit është shkëputur Xhevat Sokoli duke e fituar ndeshjen me rezultatin 25-22, fitore kjo që e shpall atë kampion individual të këtij turneu.

Me shumë interes është ndjekur edhe ndeshja tjetër ekipore, Vllaznia-Tirana edhe kjo për disiplinën e karrambolit, ku për Vllazninë kanë garuar dyshja Deni Kuçi-Ervin Anamali duke pasur përballë, Edi Gjonin dhe Dritan Damanin e Tiranës. Në përfundim të kësaj ndeshje, fitues kanë dalë bilardistët shkodranë, Kuçi-Anamali.

Gaspër MARKU

(Video: Ceremonia inauguruese e sallës së re të bilardos “Vllaznia”)

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img