Vllaznia e koshit ka rënë në “dashni” me Kosovën. Në harkun kohor të pak ditëve, tre basketbollistë kuqeblu kanë lënë Shkodrën për t’u zhvendosur në kampionatin kosovar. Një lëvizje e tillë vjen kur si rezultat i masave anti Covid në Shqipëri janë bllokuar të gjitha aktivitetet zyrtare të lojrave me dorë përfshirë edhe atë të basketbollit. Në të tilla kushte, titullarët e formacionit kuqeblu që janë njëherazi edhe titullarë të kombëtares që koshit kuqezi kanë preferuar t’i bashkangjiten kampionatit kosovar. Që prej pasdites së martë, Daniel Lekndreaj është pjesë e skuadrës Sigal Prishtina. Sipas bisedës së Veriu Sport realizoi me Lekndreajn, i cili aktualisht gjendet në Prishtinë, kontrata e tij e lidhur me Sigal Prishtinën është e vlefshme deri në fund të këtij sezoni me të drejtë ripërsëritje.
Ndonëse në një moshë të re, vetem 23 vjeçare, Daniel Lekndreaj ka krijuar një emër të respektuar në sportin e koshit. Së bashku me të vëllanë e tij, Dodë Lekndreaj, sot pjesë e ekipeve të basketbollit në Kanada ku është zhvendosur që prej vitit të kaluar, ato kanë qënë të preferuarit e trajnerit të moshave të Vllaznisë Roland Koka, i cili ka meritën se ishte i pari që i zbuloi i dhe i përgatiti duke dalë kampion kombëtar me të rinjtë. Më pas, vëllëzërit Lekndreaj do të shpalleshin kampionë edhe me ekipin e parë të Vllaznisë me trajnerin Bledar Gjeçaj duke vijuar më pas të jenë pjesë shumë e rëndësishme edhe e kombëtares kuqezi. Danieli, që në kampionatin shqiptar, krahas Vllaznisë ka luajtur edhe me Partizanin dhe Goga Basket, është i gjatë 192 centimetra dhe luan në pozitat 2-3, pozicion që pritet t’i shërbejë në mënyrën më të mirë edhe ekipit të kryqytetit kosovar, Sigal Prishtina.
Gjithnjë sipas bisedes me Lekndreajn, nga firma e sotme, ai menjëherë do të jetë në fushën e lojës nesër në të parë ndeshje zyrtare që do të paraqitet me uniformën e Sigal Prishtinës.
Daniel Lekndreaj është i treti basketbollist kuqeblu që firmos për kampionatin kosovar, kur vetem pak ditë më parë ishin dy kolegët e tij të Vllaznisë, Robert Shestani dhe Julian Hamati që firmosën respektivisht për Vëllaznimin e Gjakovës dhe Bashkimin e Prizrenit.
Transferimin e Daniel Lekndreajt në kampionatin kosovar e konfirmon edhe vetë KB Vllaznia, i cili në faqen e tij zyrtare, shkruan: “Klubi i Basketbollit Vllaznia në kushtet e pamundësisë për fillimin e sezonit sportiv 2020-2021 si dhe të zhvillimit të procesit stërvitorë ka arritur marrëveshje huazimi për lojtarët kuqeblu Robert Shestani tek KB Vllaznimi në Gjakovë, Daniel Lekndreaj tek Sigal Prishtina në Prishtinë si dhe Julian Hamati tek KB Bashkimi në Prizren. Ndërkohë që drejtuesit kuqeblu po punojn për transferimin e lojtarëve të tjerë në kompeticionet zhvillimi i të cilave është i mundur, i urojmë lojtarëve tanë suksese!”
Gaspër MARKU