Thursday, November 21, 2024

IPA, jo vetëm polici, por edhe sport. Flet Zv. Presidenti, Ardian Zaganjori, më herët drejtues i KF Vllaznia

Lexo

Nuk ka shumë kohë që është krijuar, por IPA, organizata policore e Shqipërisë po bëhet gjithjë e më e njohur për opinionin publik. Falë dy drejtuesve kryesorë, Presidentit Skënder Doda, ish kampion i mundjes me Dinamon, dhe Ardian Zaganjori, jo shumë larg drejtues i lartë i KF Vllaznia, IPA Shqipëri dhe së bashku me të edhe IPA Shkodër, po organizojnë veprimtari të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ajo që spikat në këtë organizatë, është se krahas angazhimit të tyre professional të fushës së policisë, një vend të rëndësishëm në jetën e saj zë edhe sektori i sportit. Në këtë mes, është për t’u  përmendur, se krahas dyshes së mësipërme drejtuese, Doda-Zaganjori, në radhët e kësaj organizate bëjnë pjesë edhe shumë sportistë, ish kampionë dhe rekordmenë me Vllazninë dhe klube të tjerë të vendit tonë.

Krahas kampionateve dhe spartakiadave kombëtare, ajo që e bëri edhe më të njohur organizaten IPA, ishte edhe pjesëmarrja në Olimpiadën Botërore e zhvilluar pak ditë më parë në Malin e Zi.

Sipas Zv.Presidentit të IPA, Ardian Zaganjori, këto ishin Lojërat e Dyta Botërore Sportive IPA (IPA GAMES) 2022, të cilat u zhvilluan ë resortin e mrekullueshëm bregdetar Bar, në Mal të Zi. “Aktiviteti u ndoq nga më shumë se 500 atletë dhe më shumë se 700 vizitorë nga 26 vende! Një festë globale e sportit dhe miqësisë policore! Sportet ishin: futboll të mbyllur, volejboll plazhi, basketboll 3X3, qitje, pingpong, vrapim 5000 m. Burra dhe gra dhe sipas kategorive të moshës.

Niveli i sportistëve ishte i lartë dhe na dhuruan të gjithëve një spektakël unik! Seksioni IPA Montenegro dha më të mirën, duke i lënë të gjithë përshtypjet më të mira! Objekte pa të meta, hotele perfekte, organizim i përpiktë, surpriza! Flamuri i Malit të Zi dhe flamuri i lojërave ra nga qielli me dy parashutistë. Programi përfshinte gjithashtu një demonstrim të shuarjes së zjarrit në një anije dhe shpëtim me helikopter !!! Mesazhi i betejave ishte: jo Covid-it, jo luftes, po miqesise dhe solidaritetit! Si kryetar i komisionit social-kulturor ndihem plotësisht i justifikuar. Puna e palodhur 3-vjeçare, si e komisionit, ashtu edhe e seksionit organizativ, solli rezultatin e dëshiruar dhe shumë më tepër! Përgëzoj dhe falënderoj sportistët dhe trajnerët, organizatorët, vullnetarët, por edhe Policinë dhe Autoritetet Vendore që e mbështetën me gjithë zemër. Delegatët do të vendosin në Kongresin Botëror se ku do të organizohen Lojërat e ardhshme. Megjithatë, Mali i Zi e ngriti shifrën shumë lart !!!”, thotë për Veriu Sport, ZV.Presidenti i IPA, Ardian Zaganjori.

Menjëherë pas përfundimit të Lojrave Olimpike Botërore të zhvilluara në Mal të Zi, në ditët e para të Qershorit, për pesë ditë me radhë Vlora ishte qendra  e Shoqatës  më të madhe Policore në botë, International Police Association (IPA). Me iniciativë të Presidentit te IPA-Seksioni Austria, z Martin Hoffman dhe me ftesë  të IPA Seksioni Shqiperi (kandidat), nga data 01-05 qershor 2022, në Vlorë u  organizua takimi i nivelit të lartë të Bordit Ndërkombëtar Ekzekutiv.

Ky aktivitet kryhet në Vlorë  në kuadrin e 110-vjetorit të formimit të Shtetit të pavarur Shqiptar dhe për  t’i dhënë  një suport pozitiv pranimit të IPA-Seksion Albania me të drejta të plota në familjen e madhe të IPA Botërore.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe anëtarët e Bordit Ekzekutiv Nderkombetar të  Zvicres, Greqisë, Suedisë, Irlandës, Islandës, Qipros, Austrisë, të kryesuar nga Presidenti z.Pierre-Martin Moulin.

Në ditën  e parë të programit Sekretarja e Përgjithshme dhe Zv-Presidenti IPA zhvilluan takim me nivelet më të larta të Ministrisë së Brendeshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ku u theksua  vëmendja që ka shoqata e IPA, për punonjësit e policisë në detyrë, të liruar e në pension.  Me këtë rast Sekretarja e Përgjithshme e IPA vendosi një buqetë lulesh në Memorialin e te Rënëve  pranë Ministrise se Brendeshme.

Në vijim, anëtaret e Bordit u takuan e zhvilluan bisedime mjaft frutdhënëse me Kryetarin e Bashkisë Vlorë z Dritan Leli, Prefektin z Flamur Mamaj, nënkryetarin e Bashkisë Sarandë z Romeo Çakuli dhe me drejtorin e Policisë vendore Vlorë z Gentjan Berberi. Në kuadrin e prezantimit të Shqiperisë Turistike u zhvilluan vizita në Manastirin e Zvërnecit, në qytetin e Sarandës me një nga krenaritë e turizmit  shqiptar, Muzeu i Butrinit.

Drejtuesi i IPA  Seksion Albania z Skënder Doda  shprehu vlerësimin e lartë për Bordin e IPA që vendosën të zhvillojnë takimin në Vlorë, për mbështetjen nga Drejtuesit e lartë të MInistrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. U dhanë mirënjohje pa kufi për ata që realizuan këtë aktivitet duke filluar nga Drejtori Policisë Vlorë, Bashkia Vlorë, Prefektura Vlorë, Bashkia Sarandë, Ministria e Kulturës, Kryetari i IPA-Regioni Jugut Zotin Artur Selimi, Sekretarja organizative Enkela Deraj  etj të cilët punuan me përkushtim duke i dhënë Vlorës dhe gjithe Shqiperisë një imazh të vlefshëm.

Ndërkohë, pas këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm ndërkombëtar, IPA gjeti rastin të rikthehet në botën e sportit. Dhe, këtë e bëri të mundur Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili falë njohjes personale dhe të afërt me ish adminitratorin e KF Vllaznia, Ardian Zaganjori, i bëri një dhuratë simbolike organizatës IPA. Dhuratë, që ato e konsideruan “Shansi i numrit 8”! Kjo ka të bëjë me fitoren e Kupës së Shqipërisë nga ana e Vllaznisë, e teta për nga radha, gjë për të cilën zori Xhaferi u dhuroi drejtuesve më të lartë të IEB  BOTERORE, fanelat me këtë numër.

Të kënaqur me dhuratën e presidentit të Vllaznisë, Anëtaret e KEK IPA-ALBANIA u veshëm menjëhërë me uniformat e Vllaznisë fituese të Kupës së Shqipërisë duke bërë një foto me numrin 08 në fanele.

“Një koinçidencë, që e konsiderojnë me fat, pasi morën premtimin se me datë 08 tetor 2022 do të marrim anëtarësimin e plotë në familjen madhe IPA Boterore. Faleminderit, Vlora, Skender Doda, Shefik Bajrami, Edra Beci ,Valmira Zenuni, May-Britt Ronnebro Stefan, Dimoski Kyriakos Karkalis, Eda Toska, Martin Hoffmann, Ipa Skopje, por faleminderit edhe klubit kuqeblu, i cili që në krijimin e kësaj organizate është i pranishëm me mbështetjen dhe bashkëpunimet mes dy palëve”, mbyll prononcimin e tij, për Veriu Sport, ZV.Presidenti i IPA, Ardian Zaganjori.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img