Pas dy trofeve radhazi, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë të fituar nga ekipi i Superligës Vllaznia U-17 me trajner Edmond Doçin dhe Denis Zmijanin, në kampin kuqeblu, prisnin me ankth edhe finalen e Superligës së Play-Off-it për U-15, Vllaznia-Akademia e Futbollit Tirana, me shpresë se në Shkodër do të mbërrinte trofeu i tretë i këtij sezoni për moshat.
Por, këtë radhë, finalja në fjalë e luajtur në fushën e Kompleksit Sportiv, Internacional Tirana, nuk foli për kuqeblutë. Skuadra e drejtuar nga trajnerët, Brikeno Bizi dhe Gjon Kola, është mundur me rezultatin minimal 1-0. Fatin e takimit e ka vendosur një gol i shënuar në minutën e 61-të nga Oresti Rifa për Akademinë e Futbollit Tirana.
Megjithë përpjekjet e të dy skuadrave, Vllaznisë për të barazuar rezultatin dhe Akademisë Futbollit Tirana për të dyfishuar avantazhin, ndeshja ka përfunduar me rezultatin 1 me 0 në favor të kryqytetasve, skuadër e cila shpallet kampione e Shqipërisë për sezonin 2021-2022.
Ndonëse, e synuan deri në fund fitoren e trofeut, kuqeblutë e Vllaznisë janë mjaftuar me pozicionin e nënkampionit të Shqipërisë, që gjithësesi është një vend i nderuar çka flet për punën e mirë që është bërë gjatë sezonit nga stafi teknik.