Ditë më parë, Veriu Sport informoi për ndarjen nga jeta në moshën 90-të vjeçare të një prej emrave të spikatur të sportit shkodran dhe më gjërë, ish basketbollistit të Vllaznisë, Partizanit dhe të kombëtares, Qemal Tafilica. Tafilica, ndërroi jetë në Kanada, atje ku jetonte pas arratisjes së bujshme nga Shqipëria të vitit 1955. Gjatë karrieres sportive në Shqipëri, Qemal Tafilica luajti me shumë sukses me Vllazninë e viteve 1946, 1947, 1948, 1949, 1950 përkrah emrave të njohur si Esat Haxhi, Vehbi Ademi, Muhamet Sokoli, Sandër Laca, Skender dhe Petrit Osmani, Hamid Beqaj, Vladimir Misja, Nuri Çaushi, ndërkohë që më pas gjatë kryerjes së shërbimit të detyruar ushtarak në vitin 1951 luan edhe me Partizanin duke fituar dy trofe kombëtarë, titullin kampion si dhe Kupën e Republikës.
Të afërmit e tij në Shkodër ndjehen krenar për emrin e mirë që ka pasur në vite Qemal Tafilica dhe Tafilicët në përgjithësi, të cilët kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë ndër familjet e nderuara të qytetit verior. Njëri prej tyre është edhe Berhan Bakalli, nipi i Qemal Tafilicës, i cili ndoshta ishte ndër të parët nga të fërmit e tij që arriti në vitin 1994 ta vizitonte dajën e tij në Kanada. Dhe, ky udhëtim, kishte të bënte me sportin, kur Berhani i shoqëruar me trajnerin e basketbollit tiranas, Kujtim Kasmi patën mundësi të ndiqnin nga afër ndeshjet e Kampionatit Botëror të Basketbollit. Periudhë ajo e qëndrimit në Toronto, e cila për nipin e tij, djalin e motrës që Qemalit, Berhan Bakalli, kujtohet edhe sot me shumë nostalgji.
Ndër të tjera, Berhani dëshiron të evidentojë faktin se gjatë viteve të qëndrimit në Kanada, shtëpia e Qemal Tafilicës ka qënë e hapur duke pritur dhe ndihmuar shumë shkodranë dhe shqiptarë që pas arratisjes nga Shqipëria kërkonin të sistemoheshin atje.
“Unë personalisht e kam vlerësu si një burrë të veçantë në fisin Tafilica, një prind i jashtëzakonshëm dhe shumë humanitar. Por, krahas dajës Qemal, do të doja të evidentojë edhe prindërit shumë të nderuar të dajës, Hamit dhe Feride Tafilica, të cilët në Shkodër dhe më gjërë gëzojnë një respekt të veçantë. Hamiti, baba i dajës tim, ishte një person shumë i nderuar në qytetin e Shkodrës, “zotni Shkodre” me plot kuptimin e kësaj fjale, i cili më heret, në vitet 30-të ka pasë në pronësi të parën fabrikë autokarrucerinash(foto që shoqëron edhe shkrimin). Hamit Tafilica ka qënë shtyllë e kësaj familje në çdo aspekt, edhe pse e ka dëshiru djalin e tij të arratisur për shumë e shumë vite me radhë. Megjithë vuajtjet që ka kaluar pas arratisjes së djalit të tij, ai ka qënë shumë human gjatë të gjithë kohës së jetoi.”, citon për Veriu Sport nipi i tij, Berhan Bakalli, cili më pas kërkon të informojë komunitetin shkodran se pritja e ceremonisë mortore në nderim të dajës së tij organizohet ditën e diele në lagjen Dërgut të qytetit të Shkodrës pranë kompleksit të banimit “Fishta, rruga “Rruga e Tafilicëve”, kati i parë, përballë shkollës së mesme “Oso Kuka”.
Gaspër MARKU