Friday, April 26, 2024

6 vite pa Mejdan Zhivanin, koleg i dashur na mungon shumë!

Lexo

Si sot 6 vite më parë, komuniteti mediatik, dhe kryesisht ai sportiv, mori një lajm shumë të hidhur, ndarjen nga jeta përpara kohe në moshën 38 vjeçare, të gazetarit dhe komentatorit të mirënjohur sportiv, Mejdan Zhivani. Megjithë interesimin, mbështetjen dhe përkujdesjen maksimale të familjes “Zhivani”, por edhe të familjes së madhe mediatike dhe asaj sportive që nuk kurseu asgjë për shërimin e tij, një sëmundje e rëndë që e mundoi për muaj të tërë, nuk i dha mundësi të jetonte.

E ndau nga familja, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij të vegjël, në kujtesën e të cilëve do të mbetet përherë imazhi i prindit dhe familjarit shembullor. Dhe, në të njëjtën kohë e ndau nga pasioni dhe aktiviteti i gjithëanshëm mediatik, lokal dhe kombëtar që me aq shumë përkushtim i shërbente.

Iku shumë herët fizikisht, në kulmin e karrieres së tij si gazetar sportiv, komentator dhe drejtues i emisioneve sportive, por kujtimet e shumta që la me kolegët e tij, sidomos me ne të Shkodrës, bëjnë që ai të jetë vazhdimisht mes nesh, ashtu i qeshur dhe i pastër në shpirt, simbol i korrektësisë dhe profesionalizmit, veti që e karakterizonin si askend atë.  Mejdan Zhivani, ishte një nga emrat e njohur, kryesisht pas vitit 2000, ku krahas qytetit të Shkodrës ku pati fillimet dhe angazhimin kryesor në mediat lokale, si Radio Shkodra, televizionet “TV1 Channel” dhe TV Rozafa”, gazeta “Vllaznimi Sportiv” etj, u angazhua më pas në shtypin qëndror, ku punoi vitet e fundit, si në gazeten “Sporti Shqiptar” dhe së fundmi në Radio-Televizionin Shqiptar.

Emri i tij është i pazëvendësueshem, por ndërkohë, padyshim që është kënaqësi e veçantë kur traditën e familjes “Zhivani” në fushën mediatike po e vazhdon në mënyrën më të mirë nipi i tij, Klodian Zhivani, korespondenti i Top Channel në Shkodër, si dhe i TV1 Channel në qytetin e verior, një arsye më shumë për ta pasur në kujtesë të përhershme të paharruarin Mejdan!  Pushofsh në paqe koleg i nderuar!

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img