Me përfundimin e sezonit është koha për të bërë një analizë për… analistët. Figura e video-analistit, që tashmë është bërë e domosdoshme për gjitha stafet profesioniste të skuadrave të futbollit, u prezantua nga Federata Shqiptare e Futbollit si një risi e rëndësishme që në vitin 2019. Që nga ai moment evoluimi i figurës së video-analistit në Shqipëri ka qenë mbi pritshmëritë, me disa skuadra që tashmë kanë në stafet e tyre një analist profesionist.
Ky sezon shënoi në majin e kaluar edhe numrin më të madh të pjesëmarrësve të regjistruar në kursin për video-analistë, plot 30 të tillë. Gjithashtu, për herë të parë, video-analistët u bënë pjesë fikse e stafit të ekipeve që marrin pjesë në kategorinë “Abissnet Superiore”.
Përgjegjësi i sektorit të video-analizës në FSHF, Alarico Rossi bën një bilanc të këtij sezoni, duke treguar edhe rezultatet e arritura: “Ishte një vit konsolidimi, pasi ishin organizuar tre kurse në dy sezonet e mëparshme. Tani prisnim një përgjigje nga bota e futbollit shqiptar dhe atë e morëm: fillimisht me përfshirjen e tre video-analistëve në po aq skuadra në kategorinë ‘Abissnet Superiore’, më pas me kërkesat e shumta për regjistrim nga studentët në këtë kurs”.
Tani është momenti për të menduar për projekte të ardhshme. Alarico Rossi sqaron më tej planet që ka ky sektor në vazhdimësi: “Ka ardhur koha për të ngritur nivelin e projektit dhe për ta bërë video-analizën në Shqipëri të përdorshme për të gjithë, duke u zgjeruar fillimisht në Kategorinë e Parë dhe më pas nëpër akademitë e futbollit. Po mundohemi të gjejmë formulën më të mirë për ta zhvilluar këtë projekt në Shqipëri dhe kjo është tema e diskutimit të këtyre javëve. Shpresojmë shumë ta bëjmë këtë duke filluar nga sezoni i ardhshëm”.
Ky sezon shënoi edhe një risi tjetër siç ishte përfshirja e video-analistëve në të gjitha ekipet kombëtare të moshave: “Puna e departamentit mbetet baza thelbësore për t’i bërë lojtarët e ekipeve tona Kombëtare të performojnë sa më mirë në fushën e lojës. Përgjigja më e rëndësishme ishte ajo e trajnerëve tanë të ekipeve të të rinjve, të cilët nuk bëjnë dot më pa video-analistë pasi kanë shumë nevojë për këtë figurë në staf. Një shenjë se jo vetëm roli i video-analistit është i rëndësishëm, por edhe se kurset që ka zhvilluar kanë qenë vërtetë shumë cilësore”.
Sezoni i ri që pritet të nisë në gusht do të ketë një periudhë të pazakontë pushimi për shkak të finaleve të Botërorit “Katar 2022” dhe në atë periudhë Federata po mendon të organizojë edhe kursin e pestë për video-analistë futbolli, duke pasur parasysh numrin e lartë të kërkesave të ardhura deri më tani. Sakaq, në këto ditë sektori i video-analizës është i angazhuar në mbështetje të ekipeve shqiptare pjesëmarrëse në kupat e Europës.