Tuesday, November 26, 2024

Kombëtarja U17-Shqipëria, miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut në shtator

Lexo

Ekipi kombëtar U-17 ka zyrtarizuar dy ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në muajin shtator. Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se dy federatat përkatëse kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve në datat 12 dhe 14 shtator.

Sfida e parë e kuqezinjve do të luhet në transfertë, më 12 shtator, ndërsa përballja e dytë do të zhvillohet dy ditë më pas në vendin tonë, teksa mbeten për t’u përcaktuar stadiumet se ku do të luhen dhe ora e takimeve.

Këto dy sfida janë shumë të vlefshme për ekipin kuqezi, që drejtohet nga trajneri Ervin Bulku, i cili do të testojë dhe do t’u japë mundësi lojtarëve që do të thërrasë të tregojnë cilësitë e tyre, për të vendosur më tej për grupin e futbollistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2022/2023 për këtë grupmoshë.

Shqipëria U-17 është shortuar në grupin 7, së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin, ku ndeshjet do të zhvillohen në formën e një mini-turneu në Kroaci në muajin tetor, përkatësisht në datat 20, 23 dhe 26 tetor 2022.

Ervin Bulku ka shfrytëzuar të gjitha datat e mundshme të UEFA-s, por edhe ditë të tjera për të zhvilluar seleksionime e grumbullime me lojtarë nga brenda e jashtë vendit, për të spikatur elementët më të mirë që mund t’i shërbejnë ekipit kombëtar. Gjithashtu, Shqipëria U-17 ka zhvilluar edhe disa miqësore përgjatë këtij viti, teksa të fundit ishin ato ndaj Kosovës në muajin qershor, ku kuqezinjtë morën një fitore dhe një barazim.

Sakaq, data e grumbullimit të ekipit U-17 dhe lista e lojtarëve të thirrur për miqësoren ndaj Maqedonisë së Veriut do të bëhen me dije në javët në vazhdim në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img