Tuesday, November 26, 2024

Vllaznia, stërvitja e parafundit anti-Universitatea. Kuqeblutë gati për hapin e parë drejt kualifikimit

Lexo

Të grumbulluar që në nisje të javës në një nga resortet komode në periferi të qytetit të Shkodrës, shoqëruar me një përkujdesje maksimale nga drejtuesit e klubit, Vllaznia po i jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen ndërkombëtare të së enjtes.

Përballë do të ketë një skuadër me emër, jo vetem në kampionatin rumun, por me një paraqitje të mirë edhe në konkurimet europiane, pjesëmarrjet e së cilës kanë qënë rregullisht në vite.

Seanca e parafundit anti-Universitatea ishte ajo e pasdites së sotme në ajrin e freskët të fushës sportive të Golemit. Seancë, e cila ashtu si edhe të tjerat të mëparshme është ndjekur prej së afërmi nga presidenti Alban Xhaferi dhe stafi i tij.

Një seancë e cila, ka prezantuar një entuziasëm në radhët e skuadrës, ku gjithësecili prej futbollistëve, por edhe pjesëtarëve të stafit teknik duket qartë se po jeton me emocionet e përballjes të së enjtes.

Tekniku Mirel Josa së bashku me dy kolegët e tij më të afërt, Vioresin Sinani dhe Auron Miloti, është i përkushtuar dhe përqëndruar kryesisht në zbatimin e skemave taktime të projektuara për të sulmuar rumunët në kërkim të shënimit të golit. Por, jo vetëm të veprimeve sulmuese, sepse një vemendje po aq e madhe i kushtohet edhe atyre mbrojtëse, ku menjëherë pas mbylljes së sulmit, grupi kuqeblu organizohet menjëherë i përforcuar në prapavijë.

Ndërkohë, me të njëjtim seriozitet, kryen veprimet e tij edhe sektori i portjerëve, ku specialisti përkatës, trajneri Ideal Lekiqi vazhdon të punojë me treshen, Zogoviç, Qarri dhe Shkoza. Natyrisht, përqëndrimi është tek malazezi Zogoviç, i cili është i projektuar titullar, por pa harruar edhe dyshen tjetër, të cilët do të jenë të gatshëm për çdo moment për të zëvendësuar kolegun e tyre në rast nevoje.

Pas veprimeve në grupe, vjen edhe pjesa e fundit stërvitore e ditës, minutazhi i një loje mes dy formacioneve, aty ku konkretizohet gjithçka që është gatuar në punën individuale.

Një minutazh që pak a shumë që ekspozon edhe projektin e formacionit të parë, por që në një farë mënyre, edhe pse në masën 90-të përqind, Josa e ka përcaktuar, ka edhe ndonjë dilemë të fundit, kryesisht me mesfushën dhe sulmin që akoma nuk e ka fiksuar plotësisht emrin e duhur që do të jetë në fushë nga minuta e parë.

Megjithatë, ajo që do të vendosë përfundimisht do të jetë seanca e fundit stërvitore e pragndeshjes me Universitatea Craiova, e cila është e planifikuar të zhvillohet mbrëmjen e së mërkurës  në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 20:30, ndërkohë 30-të minuta më herët në qilimin e blertë të “Loro Boriçit” do të stërvitet skuadra rumune, Universitatea.

Kështu, me një atmosferë pozitive dhe shumë entuziaste, skuadra kuqeblu po shkon drejt momentit final të sfidës të së enjtes, me një përgatitje dhe moral të lartë duke patur vetëm një synim, fitoren e kësaj sfide të parë të turit të dytë Conference League duke hedhur kështu hapin e parë të kualifikimit drejt turit të tretë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img