Gazetari Gasper Marku, foli për emisionin “Skaner” në MCN TV, nga Rumani, aty ku momentalisht ndodhet Vllaznia, që ditën e nesërme do të luajë ndeshjen e kthimit me Universitatea Craiova.
Sipas Markut, trajneri Mirel Josa do të bëjë ndryshime në formacionin titullar, duke hedhur në fushë disa lojtarë që në ndeshjen e parë i futi në pjesën e dytë.
“Kemi mbërritur në Craiova prej dy ditësh, me një mikpritje të jashtëzakonshme. Qyteti këtu i ka dhënë një rëndësi të madhe kësaj sfide. Skuadra rumune kërkon mbështetjen e tifozëve, për të arritur kualifikimin. Përballë këtij presioni vendas është Vllaznia, që është e përkushtuar. Josa e ka nxjerrë që dje skuadrën në stërvitje. Dita e sotme ka qenë më e ngarkuara. Josa ishte përballë gazetarëve rumunë, po ashtu edhe ndaj atyre shqiptar. Kishte një interesim të madh, nuk e kishim menduar kështu. Gazetarët rumunë e bombarduan trajnerin Josa me shumë pyetje.
Pjesa e dytë në Loro Boriçi, dha impaktet e duhura. Stafi ka vendosur të bëjë ndryshime në formacion. Do jenë 2-3 lojtarë që u aktivizuan në pjesën e dytë në Shkodër, të cilët do të aktivizohen nga minuta e parë nesër. Rezultati 1-1 favorizon rumunët, por Josa tha se shanset janë 50 me 50 dhe presioni është te Craiova. Këta të fundit do të kërkojnë me çdo kusht kualifikimin, pasi në të kundërt do të ketë penalizime të mëdha. Është kërcënuar stafi teknik, pasi ju kërkohet me çdo kusht fitorja.
Stadiumi ishte fantastik. Aty janë luajtur ndeshjet europiane. Sipas formacioneve, janë shitur shumë bileta dhe pritet të jetë stadiumi i tejmbushur.
Vllaznia ka marrë masat, që në rast se kualifikohet, të udhëtojë drejt Polonisë dhe të mos kthehen në Shkodër, për ndeshjen me Zorya.”