Vllaznia-Lushnja 1-3(25-18, 23-25. 19-25, 24-26)
Vllaznia: Paola Gjyshja, Nikol Cico, Marjana Ndou, Raisa Cera, Xhensila Fishta, Ania Stefani, Elira Rukaj, Klea Kurti, Jordan Vang, Danjela Kodra, Laura Ballçiti(Kapitene), Uerda Kopliku. Trajner: Dorjan Tafa, Xhulio Dushi.
Lushnja: Griselda Uruçi, Blloku Gjermeni(Kapitene), Emi Muharremi, Eljana Kadillari, Kejsi Gjika, Briselda Hasanaj, Albina Sema, Amelia Cuko, Irini Hasanaj, Irsida Paragoni, Alesja Shani, Rexhina Sinani, Vasilika Gjika. Trajnere: Erilda Allkanjari(Muço).
Gjyqtar: Igli Feshti, Edison Kurti

Vllaznia-Lushnja, ishte njëri prej dueleve të javës së pestë të Kampionatit Kombëtar të Superligës së Volejbollit për femra, sfidë kjo shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat e luajtur mbrëmjen e së premtes në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” të Shkodrës, të cilat vinin në këtë takim me nga katër humbje të pësuara secila.
Duke qënë larg në nivelin e skuadrave të tjera të kampionatit, ndonëse kampionati është i gjatë, takimi në fjalë vlente në një farë mënyre për mbijetese. Kjo, pasi fitorja e secilës skuadër i jepte mundësinë të largohej nga vendi i fundit në renditje.
Dhe, këtë fat e pati skuadra mysafire nga Lushnja, e cila duke fituar me rezultatin 1 me 3 regjistron fitoren e parë në kampionat duke u pozicionuar e parafundit dhe duke lënë në fund të tabelës së klasifikimit Vllazninë.
E ndërsa lushnjaret e drejtuara nga trajnerja, ish volejbollistja e njohur lushnjare Erilda Allkanjari(Muço) meritojnë përgëzimet e rastit pas kësaj fitoreje të arritur në transfertën shkodrane ndaj një rivali direkt mbijetese, nga ana tjetër, tek Vllaznia situata shfaqet kritike.
Pesë ndeshje, pesë humbje në kampionat janë një sinjal alarmi për skuadrën kuqeblu, gjë që në fakt u pasqyrua edhe pas mbylljes së ndeshjes, ku trajneri Dorjan Tafa dhe kolegu i tij Xhulio Dushi u panë të shqetësuar dhe kritik me volejbollistet shkodrane, pasi është humbur një nga ndeshjet më të rëndësishme ndaj një rivali direkt mbijetese.
Referuar kronikës së takimit, Vllaznia e nisi më mirë teksa fitoi setin e parë 25-18, por në të dytin, pas një rivaliteti të madhe është Lushnja që e mbyll me fitore 23-25. Me fitore e mbyll Lushnja edhe setin e tretë me shifrat 19-25 duke udhëhequr me sete 1 me 2. Ndërsa i katërti është më i forti i krejt takimit. Vllaznia luftonte ta merrte këtë set dhe ta çonte ndeshjen në shtesë, ndërsa Lushnja për ta mbyllur ndeshjen 1 me 3 në favor të saj.
Volejbollistet shkodrane, mes të cilave në këtë ndeshje u aktivizua edhe kanadeze Jordan Vang, janë më pranë fitores duke qënë në avantazh në pjesën më të madhe të këtij seti, madje edhe në pikët deçisive, por dy gabime fatale në mbrojtje i kushtojnë shumë Vllaznisë, e cila humb setin e katërt me pikët shtesë 24-26 dhe të gjithë ndeshjen 1 me 3.
(Video) Ndeshjen Vllaznia-Lushnja, si dhe prononcimin e trajneres Erilda Allkanjari(Muço) mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


