Për javën e nëntë të Kampionatit Kombëtar të kategorisë Superiore, Vllaznia do të jetë mysafire në Laç. Një sfidë kjo e vështirë për kuqeblutë duke pasur parasysh që gjatë periudhës së fundit Vllaznisë nuk i ka ecur në këtë fushë. Por, tashmë duket se gjërat janë më ndryshe. Vetë kryesimi me meritë i tabelës së klasifikimit nga kuqeblutë me 19 pikë është tregues i një Vllaznie potente, e cila kërkon që rezultatet pozitive të saj të vijojnë edhe në ndeshjen e radhës në Laç. Një gjë të tillë e ka përcjellë gjatë konferencës për shtyp organizuar një ditë përpara ndeshjes edhe vetë trajneri Thomas Brdariç, i cili krahas vlerësimit që ka përballë, është optimist për kalimin me sukses edhe të ëksaj ndeshje.
“Pardje edhe dje jemi fokusuar të gjithë te Laçi, është një skuadër më e mirë se të tjerat që kemi luajtur deri tani. Jemi përgatitur për çdo ndeshje, shohim pikat e tyre të forta dhe të dobëta, e kemi studiuar dhe dimë çdo gjë për ta. Dihet se ekipi i Laçit është i fortë. Kanë një fushë të vogël dhe kjo është problem. Do tregojmë “dhëmbët” dhe forcën tonë. Çdo gjë do shihet në fushë dhe do tregojmë strategjinë tonë. Do t’i përshtatemi situatës dhe ekipet e tjera kanë respekt për lojën që ne bëjmë.”, është shprehur tekniku kuqeblu, Brdariç.
Në drejtimin e Laçit, tashmë është trajneri Shpëtim Duro, për të cilin kroato-gjermani i pankinës kuqeblu ka respekt.
“Kanë një trajner dhe sistem të ri loje, kanë një trajner të mirë dhe kam respekt për të. Në ndeshjen me Laçin kemi një favor, në ashpërsinë e tyre ata kanë mungesën e tifozave që është mirë për ne në transfertë. Ajo që kemi nuk është vetëm te pikët, kemi grup të mirë dhe nuk është vetëm momenti. Duhet të shohim vazhdimësinë e lojës dhe situatës. Gjithashtu ndikon edhe pjesa ekonomike. Të shohim përpara dhe veç pikëve të fokusohemi te loja.”
Në mbyllje, Brdariç, flet edhe për dënimin e Vllaznisë nga komisioni i Disiplinës, si dhe për jehonën e rezultateve të tij në krye të kuqebluve në Gjermani, si dhe raportet me ish futbollistin e kombëtares kuqezi, Altin Lala.
“Të kemi herë tjetër kujdes, klubi nuk ka lek të paguajë gjoba për këtë formë. Nëse dyert do hapeshin në stadium do ishin më shumë se 10 mijë veta. Kjo gjë ndodhi dhe nuk kemi ç’bëjmë. Të shohim rezultatet pas çdo momenti. Duhet të mbajmë ritmin në çdo duel. E vlerësoj Lalën dhe fjalët e tij. Në futboll kur fiton je Zoti, ndërsa pas mungesës së rezultateve ndryshon gjithçka. Ne kemi një atmosferë të mirë dhe duhet të qëndrojmë në këto ujëra”, ka përfunduar prononcimin e tij, Brdariç.