Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka dalë këtë të shtunë në një konferencë zyrtare për media ku ka komentuar listën e 24 lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Izraelit më 24 shtator në transfertë e tre ditë më vonë ndaj Islandës në ‘Air Albania’.
Tekniku italian theksoi se këto dy ndeshje janë vendimtare për fatin e Shqipërisë në këtë grup të Ligës së Kombeve, teksa ekipi është ende në lojë për vendin e parë. Mungesat e Gjimshitit dhe Kumbullës janë shumë të rëndësiishme, por stafi do të bëjë llogaritë me lojtarët e grumbulluar, të cilët kanë vlerat e tyre. Trajneri Reja foli edhe për dëmtimin e Endri Çekiçit, si edhe gjendjen e Keidi Bares, ndërsa tregoi se pse nuk është grumbulluar Erion Hoxhallari.
Vështirësi për të përpiluar listën e lojtarëve me kaq mungesa? – Nuk janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, por janë dy ndeshje shumë vendimtare për fatin tonë në këtë grup të Ligës së Kombeve. Duhet të bëjmë llogaritë me këtë grup lojtarësh që kemi tani. Nuk duhet të qahem, duhet të bëjmë maksimumin me lojtarët që kemi në dispozicion. Mungesat që kemi, janë lojtarë shumë të rëndësishëm, por edhe lojtarët e tjerë që kemi në skuadër janë lojtarë që kanë vlerat e tyre dhe ne do të shkojmë me bindjen që në ndeshjen e parë të bëjmë mirë dhe të marrim rezultat të mirë. Besojmë që në këto ndeshje mund të marrim maksimumin, do të jetë e vështirë, por ne do të besojmë deri në fund.
Mungesa e Gjimshitit dhe Kumbullës dhe si është gjendja e Çekiçit? – Sa i përket Çekiçit, kemi pasur komunikim të vazhdueshëm, sidomos stafi mjekësor. Kemi folur me të dhe ai do të paraqitet në grumbullim. Këtu ai do të bëjë analizat përkatëse për të parë nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjet e Kombëtares. E njëjta gjë edhe për Baren, i cili ka qëndruar jashtë fushës për një kohë të gjatë, është rikthyer dhe duhet parë edhe gjendja e tij shëndetësore. Edhe ai do të jetë me ekipin dhe do ta shikojmë nga afër. Duke qenë se kemi një javë kohë, edhe nëse kemi ndonjë problem fizik ne do të mund t’i rikuperojmë edhe ata lojtarë. Jemi në emergjencë, mungojnë lojtarë si Kumbulla dhe Gjimshiti dhe më vjen keq sepse e njëjta gjë na ka ndodhur edhe me ndeshjen ndaj Polonisë dhe duket sikur në çastet vendimtare tonat ne goditemi nga mungesat. Por shpresoj që në këto dy ndeshje të kemi të gjithë lojtarët në dispozicion.
Pse mungon Hoxhallari në listë? – Jam i detyruar të bëj zgjedhjet që na përshtaten për momentin. Ju përmendët Hoxhallarin, që është një lojtar që luan kryesisht në krah të majtë, ndërkohë që ne kemi probleme aktualisht në qendër të mbrojtjes. Përtej mungesës së Gjimshtit dhe Kumbullës, kemi lojtarë si Mihaj, Veseli dhe Ajeti, i cili edhe pse po luan në Serinë C po luan rregullisht dhe është në formë të mirë. Skëtu kemi probleme kryesore. Hoxhallari është një lojtar që unë e konsideroj, por e shoh si lojtar më të vlefshëm në krahun e majtë ku nuk kemi probleme për momentin. E kam ndjekur, është edhe në listën e pritjes dhe nëse nuk kemi mungesa këto ditë, do të mbështetemi te lista e pritjes për të marrë lojtarë të tjerë me vete.
Nuk dua të marr shumë lojtarë, pëlqej të marr 23-24 pasi nëse marr më shumë, ndonjë prej tyre është i detyruar të përfundojë edhe në tribunë dhe kjo nuk më pëlqen, pasi edhe ata mërziten. Ky është grupi. Dua të mbështetem te lojtarët që njoh mirë dhe nuk më pëlqen të bëj eksperimente në momente të caktuara sidomos përpara këtyre dy ndeshjeve të rëndësishme.
Sa shanse kemi të arrijmë vendin e parë në grup? – Jemi akoma në lojë për të marrë vendin e parë nëse do të arrijmë të fitojmë këto dy ndeshje. Sigurisht kemi lojtarë me shumë eksperiencë dhe gjatë ndeshjeve të fundit kemi pasur edhe mungesa që na kanë kushtëzuar por mendoj se do t’ia dalim. Do të përgatitemi mirë, aspekti karakterial do të jetë shumë i rëndësishëm në këto dy ndeshje. Jemi në kushte për të luajtur si të barabartë me të gjitha skuadrat, sidomos me Izraelin që e pamë se sa kundërshtar i fortë është. Kemi bindjen që mund të shkojmë atje dhe mund të bëjmë një ndeshje të mirë duke u bazuar te aspekti karakterial i lojtarëve dhe skuadrës.
Një koment për sulmin dhe a do të kemi mbështetje nga mesfusha? – Ne do të përpiqemi që të bëjmë maksimumin duke nisur nga ndeshja me Izraelin. Ideja ime është që të hedh në fushë një skuadër të ekuilibruar, sigurisht duke pasur pak fokusin nga mesfusha e lart. Për fat të keq, Çekiçi edhe pse po luante mirë, ka këtë problem tani, ndërsa Bajrami nuk është se ka bërë paraqitje të mira. Ndoshta mund të luaj me një sulmues, apo edhe me tre në aspektin ofensiv, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm mbrapa që skuadra të ketë ekuilibër. Luajmë ndaj Izraelit, një skuadër shumë e shpejtë dhe shumë e aftë teknikisht, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm. Do të përgatitemi këto ditë dhe të shohim deri në ditën e ndeshjes se si do të zbresim në fushë.
Si mendon trajneri se do të jetë paraqitja e skuadrës, pasi luan në presion – Duhet të jemi mirë në këto dy ndeshje qoftë në aspektin fizik, por edhe karakterial. Kemi përpara Izraelin, një ekip shumë i mirë por gjithçka do të varet nga ajo se si ne do të futemi në fushën e lojës. Duhet të kemi agresivitetin e duhur dhe në këtë ndeshje më shumë se gjithçka tjetër duhet personalitet qoftë nga ana jonë. Zgjedhjet e mia do të bëhen pasi të shoh lojtarët në stërvitje, nuk mund të them që tani se si do të luajmë. Do të përzgjedh ata që janë më në formë për këtë betejë. Presioni në fushë do të jetë shumë i madh, pasi ata në fushën e tyre luajnë shumë fort dhe janë shumë agresivë. Por ne shkojmë të bindur për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të marrë një rezultat pozitiv. Unë e shoh presionin si diçka pozitive, në këtë ndeshje thjesht duhet të kemi bindjen e duhur se mund t’ia dalim. Do të punojmë për një javë për t’u përgatitur. Shpresojmë që ata të kenë edhe ndonjë dobësi në mbrojtje dhe ne t’i godasum aty. Të shkojmë me besim që mund të marrim maksimumin.
A ka harmoni ky grup dhe koment për paraqitjen jo të mirë të disa lojtarëve në ndeshjen ndaj Izraelit – Harmonia ka qenë dhe është në skuadër. Sigurisht ka edhe ndonjë lojtar që mund të mërzitet dhe këto janë gjëra të qarta në futboll. Unë ia kam bërë të qartë të gjithë lojtarëve që duhet të pranojnë zgjedhjet dhe ata që nuk luajnë duhet të jenë gati për ekipin në çdo moment. Edhe në ndeshjet e fundit, ndoshta ka pasur rendiment jo të lartë nga disa prej tyre, me paraqitje nën pritshmëritë që kishim, pasi ne prisnim shumë nga dy ndeshjet e fundit. Por ndaj Izraelit ne i dhuruam golat dhe gjithçka erdhi për shkak të gabimeve individuale. Por tashmë nuk na lejohet më të gabojmë, duhet të korigjojmë gjërat që nuk kanë funksionuar. Që kur kam ardhur këtu si trajner i Kombëtares, them me bindje se grupi ka funksionuar dhe gjithçka ka shkuar mirë. Me përjashtim të ndonjë problem të vogël, që e kemi zgjidhur. Kur të vijnë të gjithë lojtarët do të bëjmë analizën me video, do të diskutojmë gjërat që duhen korigjuar, por edhe ato që do të përmirësojmë dhe të përgatitemi për ndeshjet e radhës.
(Video) Trajneri i kombëtares, Edi Reja, në konferencë shtypi për pragndeshjet me Izraelin dhe Islanden)