Quhet Kevin Dodaj dhe konsiderohet një nga të rinjtë më me perspektive të klubit Vllaznia. Nuk është vetëm mendimi i tifozërisë, apo edhe e medias sportive, e cila prej vitesh e komenton dhe e pasqyron si sulmuesin e talentuar të ekipeve të moshave duke u shpallur si golashënuesi më i mirë në ekipet U-15 dhe U-17.
Sezonin e fundit e mbylli me 27 rrjeta të tundura në portat kundërshtare, duke marrë vlerësimet maksimale nga trajnerët dhe specialistët e Akademisë së Futbollit Vllaznia si një nga protogonistët kryesorë të shpalljes kampionë kombëtarë me ekipin U-17 nën drejtimin e trajnerit Edmond Doçi.
Kjo ka ndikuar që stafi teknik i ekipit të parë ta pikasë Kevin Dodajn për ta bërë pjesë të ekipit të parë. Një gjë e tillë ka ndodhur sot, kur në vazhdën e nismë për të promovuar talentët e rinjë të ekipeve të moshave, Dodaj është vënë në dispozicion të teknikut Mirel Josa. Një seancë, e para e tij me ekipin e parë, e cila patjetër ka bërë efektin e duhur për këtë futbollist, ashtu siç ka ndodhur për secilin prej të rinjëve të fundit, si Alivoda, Spahija, Delaj, Cungu, Maliqi, Zaganjori, etj që prekën ëndrrën e veshjes së falenes kuqeblu.
Natyrisht, që ëndrra e vertete, ajo e minutave zyrtare në fushën e lojës ka shumë punë për t’u realizuar, por kjo ditë e sotme do të mbahet mend për sulmuesin 17 vjeçar duke qënë një nxitje dhe motivim më tepër për të bërë edhe më mirë në kampionatin kombëtar të moshave.
Sezoni i ri sportiv për futbollin e moshave nis këtë të diele, dhe Kevin Dodaj do të luajë në Kampionatin Kombëtar të Superiores U-19 në ekipin e Vllaznisë drejtuar nga trajneri Edmond Doçi. Një sezon që pritet të jetë një trampolinë për Kevinin, si një mundësi shumë e mirë që krahas shërbimeve për skuadrën e tij të moshave të bindë e dhe më shumë teknikun Josa për ta pasur në vemendje për ekipin e parë kuqeblu.