Erdhi nga stoli në 15-të minutëshin e fundit të ndeshjes dhe I shënoi një supergol izraelitëve duke barazuar rezultatin në 1-1 dhe duke hapur shpresat e një përmbysje në minutat shtesë. Por, kjo nuk mjaftoi sepse gabimet e kolegëve të tij të mbrojtjes prihen gjithçka. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, talenti nga qyteti i Beratit bëri të ditur se vazhdon të ketë problem dëmtimi, dhe se në këtë ndeshje ka luajtur me gjilpërë.
“Normal nuk ndjehem mirë se kam qenë i dëmtuar se atje kam luajtur me injeksione, këtu e ndjej për kombin. Luajta me gjilpërë sot për të dhënë më të mirën, ky është futbolli. Ndëshkohemi në fund, normalisht nuk jemi të lumtur.
Mbas ndeshjes mund të flasim të gjithë, por kryesorja të analizojmë gabimet që të mos i bëjmë, të fokusohemi te ndeshja e radhës se kështu e pësojmë në fund.
Besoj se është një nga golat më të bukur në karrierë, ndjehem i mërzitur. Të analizojmë gabime e të mos bëjmë të tjera se janë foshnjarake.
Mendoj se nuk duhet të punojmë për formacionin, por të punojmë për ekipin. Unë kam qejf të luaj gjithmonë, por kush e meriton të luajë. Ne duhet të luajmë për fanellën, për kombin, përfaqësojmë të dashurit, të gjithë Shqipërinë”, përfundoi Myrto Uzuni prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes, Izrael-Shqipëri 2-1.