Më pak se tre orë nga starti i ndeshjes, Vllaznia-Bylis, takim ky për llogari të javës së nëntë të Abissnet Superiore që luhet në “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 17:45, tekniku i Vllaznisë, Mirel Josa ka fiksuar emrat që do të luajnë nga minuta e parë.
Për t’u theksuar është, që edhe pse të gjitë të dëmtuarit kanë lënë infermierinë ku qëndruan për disa javë, Josa nuk ka preferuar që ato ta nisin nga minuta e parë. Që do të thotë se ai ka vijuar t’i besojë atyre futbollistëve me të cilët përballoi javët e fundit.
Ajo që spikat më tepër, është besimi që vazhdon t’i japë dyshes së të rinjëve, Alivoda dhe Smajli, por në të njëjtën kohë, edhe për Krujën dhe Aralicën, të cilët në dy-tre ndeshjet e fundit e kanë bërë mirë punën e tyre.
Zogoviç në portë, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Smajli në prapavië, Kruja, Alivoda, Marku, në mesfushë, dhe Mala, Aralica, Ardit Hoxhaj në sulm.
Ndërkohë, drejtësinë e kësaj ndeshje do ta vendosë tiranasi Adrian Beqiraj si arbitër kryesor duke pasur si ndihmës në dy krahët e anësores, Rejdi Zajimi dhe Rexhep Muzhaqi, ndërsa i katërt është Klodjan Prenga. Kridens Meta do të jetë në VAR dhe Mario Shazivari në AVAR.