Java e 11-të e Abissnet Superiore do të luhet e tëra në mesjavë. Kështu ka vendosur sektori i garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Një ngjeshje kjo e kalendarit që vjen edhe për shkak të zhvillimit të Kupës së Botës, ndeshjet e së cilës do të luhen në muajin nëntor, por edhe të miqësoreve të kombëtares kuqezi. Konkretisht dy ndeshjet e para të javës së 11-të do të luhen nesër.
Në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, mallakastriotit presin Teutën e Durrësit, ndërkohë që në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, shijakasit e Erzenit luajnë Kastriotin. Ndeshje, këto, të cilat do të nisin në të njëjtën orë, atë 13:00, kjo në një farë mënyre e diktuar edhe nga ndërrimi i orës, e cila që nga e diela ka shkuar 60-të minuta prapa.
Java e 11-të vijon më pas ditën e enjte me tre duele të tjera, mes të cilave edhe çifti Kukësi-Vllaznia, ndeshje kjo e planifikuar për tu luajtur në stadiumin “Kukës Arena”. Laçi-Partizani dhe Tirana-Egnatia, janë çiftet e tjera të kësaj jave, ku që të tre takimet do të nisin në orën 13:00.
Sa i përket ndeshjes së Vllaznisë, skuadra kuqeblu ka nisur përgatitjet që prej së hënës duke pasur në dispozicion grupin e plotë të futbollistëve. Këtu përfshihet edhe mesfushori sulmues Liridon Latifi, i cili prej shumë javësh ka kaluar një fazë rikuperimi intensive, dhe këto ditë ai ka nisur të stërvitet me skuadrën.
Megjithatë, sipas teknikut Josa, edhe pse hapat janë pozitive për Latifin, nisur nga koha e gjatë e qëndrimit jashtë fushës së lojës, ka shumë mundësi që deri në mbyllje të fazës së dytë ai të mos jetë i përfshirë në listën e futbollistëve të gatshëm për ndeshje. Vllaznia vjen në përballjen me Kukësin pas barazimit 2-2 të fiksuar në stadiumin “Loro Boriçi” përballë Erzenit të Shijakut.
Një barazim që nuk është pritur mirë në radhët e tifozërisë shkodrane edhe për faktin se kuqeblutë ishin në avantazh 2-0 dhe në pesëmbëdhjetë minutat e fundit pësuan dy gola duke lënë dy pikë shumë të vlefshme në shtëpi. Skuadra, së bashku me stafin teknik dhe presidencen janë ndalur gjatë në analizën e kësaj ndeshje duke prekur defektet e konstatuara, në mënyrë që në përballjen e së enjtes me Kukësin të arrihet njës rezultat pozitiv.
Nga sa bëhet e ditur, në kampin kuqeblu janë zotuar që nga nga Kukësi të kthehen me fitore, që nëse realizohet do të ishte një farë kompensimi për barazimin në shtëpi me Erzenin.