Një fitore dhe një humbje kanë regjistruar ekipet e Akademisë së Futbollit Vllaznia për javën e pestë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për moshat. Dy ekipet në fjalë, U17 dhe U19 janë përballur me ekipet e Akademisë së Futbollit të Tiranës, ndeshje këto të luajtura në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës.
Sfida e parë ka qënë ajo mes 17 vjeçarëve, ku skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Gilman Lika ka fituar me rezultatin 4-3. Një supersfidë kjo që ka lënë shije të këndshme edhe tek tifozëria e shumtë që e ka ndjekur prej së afërmi ndeshjen në fjalë.
Pjesa e parë e kësaj ndeshje është mbyllur me avantazhin e skuadrës mike, që edhe pse ishte Vllaznia që shënoi e para me anë të Kubazit, Akademia e Futbollit Tirana ka përmbysur duke e mbyllur 45 minutëshin e parë me fitore 1-2.
Madje, miqtë nga Tirana, me të filluar pjesa e dytë, e thellojnë avantazhin në 1-3. Me këtë avantazh të pastër, u duk se tiranasit do ta fitonin takimin, por i këtij mendimi nuk është talenti Geralb Kubazi, i cili me dy gola të shpejtë, tre të tillë për të në këtë ndeshje, e barazon rezultatin në 3-3. Por, ai që firmos fitoren e Vllaznisë në këtë ndeshje është Klenis Smakaj, që duke shënuar golin e katërt, bën që e gjithë ndeshja të mbyllet 3-4 për kuqeblu.
Një fitore që tifozët kuqeblu e kanë festuar gjatë, ndërkohë që një mundësi të tillë nuk ia ka dhënë skuadra U-19, e cila është mundur me rezultatin 2 me 3 nga Akademia e Futbollit Tirana.
1 me 0 për Vllazninë U-19 të drejtuar nga trajneri Edmond Doçi është mbyllur pjesa e parë, falë golit të shënuar nga Kodra në minutën e 40-të. Barazim i përkohshëm në pjesën e dytë nga miqtë, por i menjëhershëm vjen goli i Zaganjorit duke rikthyer avantazhin e Vllaznisë 2-1. Por, vetëm kaq, sepse në vazhdim është skuadra mike nga Tirana, e cila, jo vetem që barazon në 2-2, por arrin të shënojë edhe golin e avantazhit duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me fitore 2-3. Pas kësaj jave, që të dy ekipet e Vllaznisë, renditen në vendin e katërt të tabelës së klasifikimit, Vllaznia U17-të me 8-të pikë, ndërsa Vllaznia U19-ta me 7-të pikë.