Tuesday, April 30, 2024

Ndërron jetë zyrtari i FSHF-së Florian Shkreta, presidenti Duka përcjellë ngushëllimin publik

Lexo

Federata Shqiptare e Futbollit mori sot një lajm të trishtë. Florian Shkreta, një nga punonjësit më të përkushtuar të Federatës, është ndarë nga jeta në moshë të re, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Pas lajmit të dhimbshëm reagoi edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili shprehu ngushëllimet e tij dhe vlerësoi kontributin e vyer që Floriani ka dhënë për futbollin e veçanërisht për fëmijët, me të cilët ai punoi për vite me radhë me shumë pasion e devotshmëri.
“Shumë i pikëlluar për lajmin e ndarjen nga jeta të Florian Shkretës. Flori ishte një nga bashkëpunëtorët më të vyer të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe punonte prej disa vitesh me futbollin e fëmijëve në projektin ‘Groë’ për Zyrën Rajonale të FSHF në Tiranë.
Një njeri i përkushtuar, serioz në punë e që ka dhënë një kontribut të çmuar për fëmijët, të cilët ai i donte aq shumë. Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura në këto çaste. Largimi i tij i parakohshëm nga jeta na ka trishtuar shumë.
Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Shkreta dhe të afërmve të tij. Familja jonë e futbollit do ta kujtojë gjithmonë me respekt e nderim Florianin. Qoftë i paharruar kujtimi yt!”, – shkruan Presidenti në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Florian Shkreta e kishte nisur punën në FSHF vite më parë si koordinator i projektit “Groë” për Tiranën dhe më vonë si specialist i sektorit të futbollit amator në Zyrën Rajonale Tiranë. Ai punoi për 3 vjet si koordinator i projektit, duke bërë të mundur implementimin me sukses në shumë shkolla të kryeqytetit.
Përkushtimi për punën dhe dashuria për futbollin u mundësoi shumë fëmijëve të kryeqytetit të jenë pjesë e ekipeve në klube. Janë të panumërta aktivitetet për promovimin e futbollit të fëmijëve ku Flori ishte protagonist.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img