Vllaznia-Chelsea 0-4(Shënuese: Sophie Ingle 12’, Kirby Fran 20’, Katerina Svitkova 86’, Maren Mjelde 90+2’)
Vllaznia e Shkodrës, në cilësinë e kampiones së Shqipërisë në futboll femra, pjesë e grupit A të të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve të Europës, luajti mbrëmjen e së premtes ndeshjen e pestë të këtij kompeticioni.
Përballë skuadrës kuqeblu ishte kampionia e Anglisë, Chelsea, e cila në sfidën e parë të luajtur në Londër kishte fituar me rezultatin e thellë 8-0.
Edhe pse londinezet janë skuadra më e fortë e grupit A dhe pretendente kryesore për të marrë vendin e parë, përballja e kësaj radhe në stadiumin “Loro Boriçi” ishte më ndryshe nga të gjitha takimet e mëparshme.
Skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka demosntroi një nga ndeshjet më të mira të këtij edicioni, për të mos thënë më e mira. Vertet që ekipi kundërshtar i Chelset bënte diferencën në fushën e lojës, ku edhe dominimi ishte i dukshëm, por për të qënë në saktë në komentin tonë, duhet thënë me plot gojën, që Vllaznia në këtë ndeshje meritonte më tepër.
Chelse, nuk ka nevojë për favorizimin e arbitrimit për të fituar ndeshjen, por faktet tregojnë, kjo e vertetuar edhe me pamjet filmike, që goli i dytë dhe penalltia e akorduar për skuadrën mike në kohën shtesë, ishin të diskutueshme.
Takimi ka nisur me gol, kur londinezet gjejnë golin e parë të avantazhit që në minutën e 12-të me anë të kapitenes Sophie Ingle. Kampionit e Anglise, shënojnë edhe golin e dytë në minutën e 20-të, këtë radhë me autore Kirby Fran.
Me rezultatin 0-2 në favor të skuadrës mike mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që e dyta, falë edhe ndërrimeve dhe varianteve që aplikon tekniku Leka, ka një ritëm më të lartë nga skuadra kuqeblu. Inkursionet e kapitenes Esmeralda Franja në krahun e djathtë dhe këmbënguljet e Megi Doçit në qëndër të krijojnë përshtypjen se goli i parë kuqeblu në këtë kompeticion po del në dritë.
Shifrat 0-2 vijojnë të jënë në fuqi deri në minutën e 86-të, dhe pikërisht atëherë kur u mendua se kjo ndeshje do të mbyllej me rezultatin 0-2, mikeshat shënojnë edhe dy herë të tjera, me autore, Katerina Svitkova dhe Maren Mjelde, kjo e dyta në kohën shtesë nga pika e bardhë e penalltisë.
Në mbyllje, rezultati përfundimtar, 0-4 për Chelsen. Një rezultat, që siç e thamë më sipër nuk është aspak i drejtë të ishte me këto shifra, sepse maksimalja e avantazhit mund të ishte në 0-2. Gjithësesi, kjo ndeshje e fundit që u luajt në shtëpi, mori me të drejtë duatrokitjet e tifozërisë shkodrane, e cila nga ana e saj e ka të qartë që Vllaznia e ka bërë detyrën e saj që me kualifikimin historik të fazës së grupeve, si e para skuadër shqiptare që mbërrin në këtë stad.
Kampionet e Shqipërisë e mbyllen këtu me ndeshjet e luajtura në shtëpi, por përfundimisht konkurimin e saj në grupit A të “UEFA Women’s Champions League”, Vllaznia e mbyll javën e ardhshme, me ndeshjen e fundit që do ta luajë në Madrid përballë kampiones spanjolle, Real Madrid.
Gaspër MARKU