Klubi i boksit “A.P. PEJA” Pejë organizon turneun e madh të boksit “Kosovo Fight Night” ku në këtë mbrëmje të boksit do të ketë boks profesionist dhe boks amator, përfshirë edhe një duel të boksit për femra. Turneu që përmbyllë kalendarin e garave të boksit për vitin 2022 mbahet në Palestren e Sporteve “Karagaq”në Pejë duke filluar paraprakisht me duelet amatore nga ora 16:00.
Një turne ky ku do të boksojnë edhe dy boksierët e njohur shkodran, Nelson Hysa dhe Arjon Kajoshi. Boksierët shkodranë shoqërohen në këtë aktivitet nga kryetrajneri i Vllaznisë Zef Gjoni dhe presidenti i klubit të boksit Rozafa, Avenir Durraj.
Sipas kalendarit të publikuar nga organizatorët, në ring do të ketë tetë duele, mes të cilëve është edhe ndeshja e femrave, mes boksiereve Elif Turman të Turqisë dhe kroates, Karina Osmalenoero.
Por, ajo që pritet me më shumë interes është ndeshja e boksierit shkodran Nelson Hysa, i cili do të boksojë për peshën super të rëndë kundër kroatit Marko Vuçeviç. Për Hysën, kjo është ndeshja e gjashtë radhazi në boksin profesionist, ndërkohë që në pesë të parat ka realizuar vetëm fitore.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, 16 herë kampioni shqiptar, Hysa, ka premtuar që edhe ndeshjen kundër kroatit Marko Vuçeviç do ta kurorëzojë me sukses.
Ndërkohë, edhe pse është në hapat e parë të profesionizmit, fitore ka premtuar edhe boksieri i peshave të mesme, Arjon Kajoshi. Përballë tij do të jetë boksieri hungarez, Pal Olah, ndeshje e cila sipas kalendarit do të jetë e shtatë në radhë, ndërkohë që ajo e boksierit Hysa kundër kroatit Marko Vuçeviç është planifikuar të jetë e katërta.