Pjesa e parë e sezonit futbollistik 2022-2023 e gjen Vllazninë e kategorisë Superiore në vendin e katërt të renditjes me 22 pikë, 7 më pak se Partizani kryesues, 3 nga Tirana e vendit të dytë dhe 2 nga Egnatia e vendit të tretë. Megjithatë, gjatë vitit 2022, kuqeblutë ishin fitues të Kupës së Shqipërisë duke marrë pjesë edhe në Kupat e Europës. Në prononcimin e dhënë në fund të vitit për mediat, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi bën një panoramë të përgjithshme të ecurisë së skuadrës që financon.
Duke folur konkretisht për paraqitjen e Vllaznisë për pjesën e parë të sezonit 2022-2023, Xhaferi nuk është i kënaqur me rezultatet e skuadrës. Por, ka besim që në pjesën e dytë të sezonit kuqeblutë do të bëjnë kthesen e shumëpritur.
Në vijim, Xhaferi flet edhe për merkaton, për ardhjet dhe largimet. Ai pranon kontaktet me emrat e përfolur, por saktësisht, do të jenë ditët e para të vitit të ri 2023 që do të zbardhin futbollistët që do të veshin bluzën e Vllaznisë.
Ndërsa, sa i takon të larguarve, Xhaferi pranon se do të ketë edhe largime, por për këtë i ka kërkuar stafit teknik që të bëjnë hapat e matura për ato futbollistë që do të vendosin për të prerë marrëdhëniet me to.
Njëshi i klubit kuqeblu, tha gjithashtu se ka pasur një takim të freskët me stafin teknik duke i kërkuar të reflektojnë për pjesën tjetër të sezonit, ndërsa rikonfirmoi në krye të pankinës trajnerin Mirel Josa duke hedhur poshtë zërat për një dorëheqje të tij siç është përfolur në opinionin sportiv.
Ndër të tjera, Xhaferi është ndalur edhe puna me të rijntë, duke bërë të ditur se vemendja ndaj talenteve të Akademisë Vllaznia është më e madhe se kurrë. Ndërkohë që përmendi dyshen Alivoda-Smajli si shembullin më të mirë të besimit që iu është dhënë nga stafi teknik dhe justifikimi më i mirë nga ana e tyre në fushën e lojës.
Ajo që është më e rëndësishmja ka të bëjë me besimin e madh që Xhaferi ka për një Vllazni ndryshe pë pjesën e dytë të sezonit duke qënë shumë optimist se objektivi i marrë për fitimin e trofeut të titullit kampion do të bëhet realitet.
Në mbyllje, Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi ka përcjellë edhe urimin për ndërrimin e viteve. Urim që shkon për të gjithë komunitetin e Shkodrës dhe kryesisht për sportistët, trajnerët, veteranët e sportit shkodran, median sportive e më gjërë, si dhe për tifozërinë kuqeblu, si pjesë kryesore e mbështetjes së Vllaznisë.
(Video) Intervisten e plotë në video me presidentin e KF Vllaznia, Alban Xhaferi, mund ta ndiqni në kanalin tonë YOUTUBE-Veriu Sport.
Gaspër MARKU