Saturday, May 11, 2024

Ante Aralica-Vllaznia nuk e dëshiron, Tirana e pret ta vesh bardheblu!

Lexo

Për kroatin Ante Aralica, ndërrimi i viteve pritet të shoqërohet me lajme të reja. I konsideruar si një sulmues potent, gjë që e ka shprehur që në ndeshjet e para me uniformën e Vllaznisë, kujtojmë këtu transfertën me Laçin, më i miri në fushë në fitoren 3-5 të kuqebluve, pjesa e parë e parë e sezonit 2022-2023 nuk ka qënë në nivelin e kërkuar për të. Një gjë e tillë ka bërë që kroati të listohet në emrat e atyre futbollistëve që klubi Vllaznia ka hartuar për largimin nga skuadra.

Por, nga ana tjetër, lajmet për largim të mundshëm nga Vllaznia kanë zgjuar ekipet e tjera të Superiores për ta bërë të tyre shtatlartin e sulmit kuqeblu, ku ndër to më e interesuara duket se është Tirana.

Drejtuesit bardheblu vlerësojnë sulmuesin, paçka se ai nuk ka pasur hapësira tek ekipi i Josës, por deri tani nuk kanë bërë asgjë për shkak të aktivizimit të paktë. Deri tani nuk ka një pistë konkrete, pasi gjërat mbeten vetëm në kuadrin e pëlqimeve dhe të kushtëzuara nga faktorë të tjerë.

Për më tepër që Aralica ka kontratë me Vllazninë dhe nuk dihen dëshirat e tij nëse e prish marrëveshjen me shkodranët apo nuk dëshiron të luajë më në Shqipëri. Vetëm pasi të jetë i lirë, Tirana dhe skuadrat e tjera mund të flasin për diskutime me Aralicën. Së fundmi, në Shkodër është diskutuar se ai që mund të largohet është sulmuesi Ante Aralica.

Këtij të fundit i mbeten edhe gjashtë muaj kontratë dhe nisur nga performanca në pjesën e parë të këtij sezoni, gjasat janë që të shkohet drejt prishjes së marrëveshjes me mirëkuptim.

Megjithatë, për momentin ende nuk ka asgjë konkrete dhe gjithçka pritet të mësohet në ditët e para të janarit, kur edhe drejtuesit të bëjnë bisedime konkrete me kroatin. Në fitoren e fundit ndaj Teutës, Aralica nuk u aktivizua fare dhe Josa preferoi të luante me brazilianin Kaina në majën e sulmit.

Kroati, edhe pse nuk është golashënues “dok”, mund të jetë shumë i vlefshëm për Tiranën në qendër të sulmit. Prej largimit të Ngosë dhe De Silvës, Tirana ka humbur peshë në sulm dhe rolin e qëndrorit në repartin e avancuar po e bën Patrik.

Gjithsesi, ardhja e Aralicës, gjithmonë nëse dëshirat e drejtuesve të Tiranës janë ende të njëjta mund të bëjë që mënyra e të luajturit të ndryshojë.

Aralica është një qendërsulmues dhe mund të ndihmojë shumë në repartin e avancuar për të furnizuar krahët.

Tej pikëve, Tirana dominon ndaj të gjithë Superiores, sepse është skuadra më e mirë në sulm me 59 gola të shënuar dhe 26 gola të pësuar në vitin 2022.

Bardheblutë kanë edhe golashënuesin e momentit në Superiore, Redon Xhixhën, si dhe kanë mbrojtjen më të mirë në kampionat.

Olsi Avdiaj

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img