Kompletohet Vllaznia e volejbollit femra. Rikthimi i Mandisa Kuçit, Zhivanit dhe Kodrës, fuqizon skuadrën e teknikut Lisha

Ndryshimi viteve ka sjellë ndryshime të papritura në kampin kuqeblu të volejbollit për femra. Nga një ekip që gjysmën e formacionit të gjashtëshes së parë e kishte me volejbolliste të huaja, tashmë skuadra e drejtuar nga trajneri Besnik Lisha është e tëra me volejbolliste shkodrane.

Tre volejbollistet e huaja që erdhën në merkaton e verës me shumë bujë, rusja Pronina Lyuboc si dhe dy bjelloruset Anna Knyzeva dhe Dayra Auramchyk, i kanë dhënë fund aventurës me Vllazninë.

Paraqitjet e tyre jo në nivelin e kërkuar, duke mos bërë diferencen në fushën e lojës, kjo edhe e pasqyruar edhe në rezultatet e Vllaznisë, e cila, nga një skuadër e trumbetuar për kampione, në mbyllje të fazës së parë përfundoi në vendin e katërt të tabelës së klasifikimit, bënë që drejtuesit të marrin vendimin e largimit të tyre.

Por, përpos mos cilësisë së tyre në fushën e lojës, ardhja e tre volejbollisteve të huaja bëri që në radhët e skuadrës kuqeblu të prishej harmonia brenda grupit, deri në atë masë sa për pakënaqësi të aktivizimit në fushën e lojës, si dhe për probleme të tjera, të kishte largime të volejbollisteve titullare.

Ndërkohë, largimi i të huajave si dhe rikthimi i të larguarave kuqeblu, duket se ka risjellë Vllazninë në gjendjen e mëparshme. Sinjali i parë pozitiv ishte rikthimi i kapitenes Klodeta Zhivani, ndërkohë që një rikthim pozitiv ishte edhe ai i shtatlartes Daniela Kodra, volejbolliste kjo që në fakt, ishte larguar në Itali, por vendosi të rikthehej në fund të vitit.

Por, pas dyshes Zhivani-Kodra, një rikthim shumë i rëndësishëm konsiderohet ai i shuteres Mandisa Kuçi. Për largimin e përkohshëm të Kuçit nga Vllaznia, një volejbolliste potenciale kjo, antare edhe ekipit kombëtar, shkaktare ishin pikërisht raportet me volejbollistet e huaja, për të cilat Kuçi pretendonte të luante përpara tyre në formacion. Kështu që, me largimin e tyre, drejtuesit gjetën gjuhën e bashkëpunimit me shuteren e Vllaznisë për rikthimin e saj në gjirin e Vllaznisë.

Një largim tjetër, shkak i së cilës ishin volejbollistet e huaja, është edhe rasti i talentes Adma Mikolopula, e cila që në fillim të sezonit është bërë pjesë e skuadrës kampione Skëndërbeu. Ndërsa Vllaznia, ka hapur dyert për rikthimin e volejbollisteve të saj, nuk dihet se si do të veprohet me talenten Adma Mikopula, nëse do të ketë një ftesë për të për tu riveshur edhe ajo kuqeblu, apo jo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu