Formula 1 po shikon mundësinë e zgjerimit në më shumë se dhjetë ekipe. Lajmin e ka konfirmuar presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem. Aktualisht në Formula 1 konkurrojnë 10 ekipe dhe 20 pilotë. Ky do të jetë formati për sezonin 2023, në të cilin do të zhvillohen 23 gara. Në fakt duhej të kishte 24 gara, një rekord ky në F1, por Çmimi i Madh i Kinës u anulua sërish për shkak të pandemisë. Megjithatë FIA po shikon mundësinë për ta zëvendësuar atë dhe konkretisht por shqyrtohen shtetet që kanë një pistë të përshtatshme për të bërë aty një garë të Formula 1.
“Kam kërkuar nga drejtuesit e FIA-s që të nisin një proces të shprehjes së interesit për ekipet e reja, të cilat mund të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të F1” – është shprehur Ben Sulayem. Por shefi ekzekutiv i F1, Stefano Domenicali është shprehur më herët se këtij sporti nuk i duheshin më shumë se dhjetë ekipe.
“Si gjithmonë, ne duhet të jemi të ekuilibruar. Të kesh më shumë makina e pilotë në garë, na duhet gjithmonë të shikojmë kufirin se deri ku mund të shkojmë. Duhet të kemi edhe dimensionin e duhur në atë që është e suksesshme për sportin. Në këtë aspekt duhet vlerësuar fakti që mos ngarkohemi shumë. Mendoj se aktualisht rritja e numrit të makinave dhe pilotëve nuk është realisht një nevojë për Formula 1”.
F1 ka një tarifë hyrjeje prej 166 milionë paund. Domenicali ka theksuar se skuadrat duhet të kenë financa të forta në radhë të parë, duke pasur gjithashtu edhe atësinë për të mbajtur një ekip në punë. Një aspekt tepër i rëndësishëm ky për të hyrë, për të qëndruar dhe konkurruar denjësisht në botën e Formula 1.