Pas një dite pushim, siç ishte e shtuna që vinte menjëherë pas së premtes kur luajtën në kryeqytet duke mundur Partizanin 1-2 për llogari të javës së 16-të të Superiores, dita e sotme e ka gjetur Vllazninë në fushën stërvitore.
E veçanta e kësaj seance, e zhvilluar në fushën sportive të Golemit, ka qënë prania e futbollistit më të ri të Vllaznisë, sulmuesit, Bekim Balaj. Shtatlarti që mbrëmjen e së premtes gjeti gjuhën e përbashkët me presidentin Alban Xhaferi duke firmosur për tre sezone me kueblutë, mesditën e sotme ka qënë në dispozicion të teknikut Josa duke konsumuar një seancë të plotë me grupin e kuqebluve.
Një gjë të tillë e konfirmon edhe Klubi i Futbollit Vllaznia, i cili përmes një njoftimi zyrtar bën të ditur fillimin e përgatitjeve të Bekim Balajt me kuqeblutë. “Ekipi i Vllaznisë ka vijuar pasditen e sotme me përgatitjet për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit. E veçanta e kësaj seance ka qenë prania në të e blerjes më të fundit të klubit tonë, sulmuesit Bekim Balaj. Ditën e nesërme ekipi do të ketë edhe një seancë të fundit e më pas do të niset drejt Ballshit, ku pasditen e të martës do të luajë ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës.”, shkruhet në njoftimin e klubit kuqeblu.
Ndonëse, sfida e parë e kupës me Bylisin, luhet shumë shpejt, pasditen e së martës, stafi teknik po shikon mundësinë e përfshirjes së Bekim Balës në listën e lojtarëve që do të jenë në dispozicion për ballafaqimin me ballshiotët në transfertë.