Video që shoqëron shkrimin e filmuar në seancën stërvitore të pasdites së martë në stadiumin “Reshit Rusi”, pasqyron qartë situatën tek Vllaznia e Superligës së Futbollit Femra. Pamjet flasin vetë, në dispozicion të trajnerit Nikolin Leka është një kontigjent i vogël i pamjaftueshëm për listën e protokollit të formacionit të parë dhe ato rezerva në një ndeshje zyrtare, pasi pjesa tjetër e titullareve janë larguar si rezultat i problemeve që po kalon KFF Vllaznia pas dorëheqjes së presidentit Lazër Matija.
Me këtë kontigjent, ku me përjashtim të kapitenes Megi Doçi dhe Klaudia Borçi, pjesa tjetër e skuadrës ishte e gjitha me vajza të reja 15-16-17 vjeçare, Vllaznia e femrave luajti ndeshjen e fundit në transfertë me Partizanin, të cilën e humbi me rezultatin 1-0 duke regjistruar humbjen e tretë në mbyllje të fazës së parë.
Veriu Sport, intervistoi njërën prej dy titullareve që i kanë qëndruar besnik Vllaznisë, Klaudia Borçin, e cila ndër të tjera, duke pranuar situatën në fjalë, ndryshe nga lojtaret e tjera titullare të larguara, thotë se ajo është rritur te Vllaznia dhe e ka për detyrë t’i shërbejë kësaj skuadre që i dha mundësinë të luajë deri në grupet e Champions League përballë emrave të mëdhenj, Real Madris, PSG, Chelsi, si dhe Juventus.
Për Klaudia Borçi, edhe pse në të tilla kushte me vajza të reja në formacion, nëse titulli është pak larg me tre humbjet e pësuara, të paktën të luftojë për vendin e tretë, ku kthesa pritet që këtë fundjavë, ku Vllaznia do të luajë derbin shkodran me Atletik Klub Shkodra.
(Video) Pamje nga seanca stërvitore e Vllaznisë së femra pa titullaret e larguara, si dhe prononcimin e plotë të sulmueses Klaudia Borçi, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


