Edicioni i 14 i Kupës së Shqipërisë në futboll femra zhvilloi ndeshjet e para çerekfinale duke evidentuar katër ekipet më të mira, Vllazninë, Kinostudion, Apoloninë dhe Tiranën, ekipe këto që fituan në sfidat e para.
Turi çerekfinal përballi dy skuadrat veriore, Kukësin dhe Vllazninë. Ndeshja e parë e luajtur në fushën sportive të Barbullushit me Kukësin pritës, foli e tëra për Vllazninë. Një rezultat me goleadë regjistroi skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka duke mundur Kukësin me shifrat 7-0. Kinostudio mundi Partizanin në takimin e parë të kësaj faze, në një ndeshje spektakolare që përfundoi me rezultatin 4-3 të Kinostudios. Takimi i dytë mes dy skuadrave do të zhvillohet javën e ardhshme, ku pritet të përcaktohet edhe gjysmëfinalisti i parë i këtij edicioni.
Sakaq, Tirana duket se ka siguruar një biletë për në gjysmëfinale pas fitores me shifrat e thella 9-2 kundër Teutës. Vajzat bardheblu realizuan gjashtë gola që në pjesën e parë të takimit, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan edhe tre gola të tjerë.
Në sfidat e ditës së sotme, Apolonia triumfoi me rezultatin 6-0 në transfertën e Laçit. Dy skuadrat zhvilluan një ndeshje shumë të fortë, teksa pjesa e parë e lojës u përmbyll me shifrat 0-1, ndërsa në fraksionin e dytë, fieraket realizuan edhe pesë gola të tjerë.
Ndeshjet e kthimit do të luhen javën e ardhshme, nga ku do të përcaktohen edhe 16 ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni.
Rezultatet e ndeshjeve të turit të parë eliminator:
Kukësi 0-7 Vllaznia
Teuta 2-9 Tirana
Kinostudio 4-3 Partizani
Laçi – Apolonia 0-6