Wednesday, November 27, 2024

(Intervista) E veçanta e doktor Zyhdi Çobës! Nga kampion si basketbollist, tek misioni i mjekut të sportit në klubin Vllaznia, ku në mbi 55 vite punë, bashkëpunoi me mbi 170 trajnerë!

Lexo

Konsiderohet emblema e Vllaznisë, dhe në fakt i tillë është, pasi e gjithë jeta e tij e Zyhdi Çobës i është dedikuar klubit kuqeblu. Fillimisht, si basketbollist, madje duke u shpallur edhe kampion kombëtar, dhe në vijim, pas diplomimit si mjek,  e gjithë karriera bazohet në shërbimin e tij si mjek profilizuar në sektorin e sportit. Merita këto të padiskutueshme këto të doktor Çobës që përpos publikut dhe komunitetit që e vlerësojnë maksimalish kontributin e tij, në 80 vjetorin e lindjes kanë qënë institucioni i Bashkidë Shkodër dhe Federata Shqiptare e Futbollit, të cilat i kanë akorduar titujt përkatës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mjeku shkodran tregon detaje të pathëna nga kjo eksperiencë unike, si dhe një bisedë që ka pasur së fundmi me presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi.

Doktor, si është të jesh 80 vjeç dhe për më tepër si ndiheni që jeni ende në detyrë?

Të them të drejtën as vetë nuk e di si kam mbërritur 80 vjeç (qesh). Duke punuar gjithë jetën me sportin dhe të rinjtë në përgjithësi, kjo punë më ka mbajtur gjallë gjithmonë. Lidhja ime me sportin ka nisur me basketbollin, ku kam luajtur 10 vjet. Pesë vite kam qenë pjesë e Vllaznisë dhe pesë të tjera me Studentin. Më pas i jam përkushtuar mjekësisë gjithë jetën, duke u shërbyer sportistëve të Vllaznisë në të gjitha disiplinat, jo vetëm ekipit të futbollit.

Sa vite keni që punoni për Vllazninë si mjek?

Kam plot 55 vjet. Për 10 vite e kam bërë si vullnetar këtë punë, pa asnjë interes. Më pas jam punësuar si mjek në klub. Në fillimet e mia kam qenë me ekipin kombëtar të basketbollit në vitin 1962, duke marrë edhe medaljen e artë në Helsinki. Ka qenë brezi i Vaso Shakës, Muhamet Përmetit, Bujar Shehut, Renato Radojës, Kosta Papës, Agim Lahit, Ferdinand Qiricit etj. Atë medalje e ruaj sot si relike. Në periudhën si mjek më ka rënë rasti të shoqëroj shumë ekipe, jo vetëm Vllazninë.

Ka ndonjë episod që ju ka mbetur gjatë në kujtesë?

Në vitin 1968 unë kam qenë me Loro Boriçin në Ankara për Kupën e Ballkanit. Në vitin 1970 më kanë marrë mjek me Kombëtaren shqiptare në Stamboll, ku njëkohësisht isha edhe për U-21. Kam ruajtur si kujtim të paharruar një fotografi me Helmut Shënin, Loro Boriçin dhe trajnerin turk në një darkë zyrtare që u bë në Turqi, e cila për mua ishte krenari. Jam shumë koleksionist dhe në dhomën time ku punoj edhe sot i kam të ruajtur të gjithë flamujt e vendeve ku unë kam qenë prezent. Këtu futen edhe flamujt e klubeve, jo vetëm të Kombëtareve. Kjo ka qenë një kënaqësi për mua, sepse janë detaje që ndoshta neglizhohen nga njerëzit.

A keni ndonjë peng në gjithë këto vite pranë Vllaznisë?

Me Vllazninë i kam ndier shumë si humbjet dhe fitoret. Unë jam prezent në klub si mjek në të gjithë trofetë që ka fituar ekipi nga 1968 e tutje. Përveç dy titujve të fituar në vitet 1945-1946, në të gjithë të tjerët kam qenë pranë klubit si mjek.

Keni ende fuqi për të vazhduar detyrën humane të mjekut?

Unë jam në dorë të Zotit dhe e falënderoj atë që më ka ruajtur shëndetin. Nëse ndihem si tani, do të vazhdoj punën. Falënderoj klubin dhe presidentin Alban Xhaferi, i cili më thirri dhe më komunikoi se kam kontratë të përjetshme te Vllaznia. Por i thashë edhe diçka.

Çfarë i thatë Xhaferit?

Edhe po më larguat nga këtu, unë prapë vijë vetë, sepse e kam të pamundur për të mos qenë afër Vllaznisë. Kjo është jeta ime dhe mund të them se është si një libër i madh. Kam kaluar në gjithë këto vite mbi 170 trajnerë, me të cilët kam bashkëpunuar. Kam ndier gjithmonë sadisfaksion me punën time, edhe pse jam lodhur. Falënderoj familjen që më ka mbështetur, sepse pa ndihmën e tyre nuk bëhej asgjë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img