Kryebashkiaku shkodran, Bardh Spahia është shfaqur edhe herë të tjera në mbështetje të sportit të boksit. Kreu i bashkisë i ka takuar boksierët profesionistë edhe dy-tr ditë përpara Turneut të Boksit Profesionist. “Nata e Kampionëve”, ndërkohë që një gjë të tillë e ka bërë edhe pas përfundimit të këtij turneu.
Njëshi i Bashkisë Shkodër, priti në një takim në zyrën e tij presidentin e federatës shqiptare të Boksit Florend Kalivopulli, trajnerin Zef Gjoni me kolegët e tij si dhe boksierët pjesmarrës në “Natën e Kampionëve” që u zhvillua në fundjavë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Duke i përgëzuar për emocionet e dhuruara dhe fitoret e arritura, kryebashkiaku Spahia e cilësoi sportin e boksit si një prej krenarive të qytetit që në 25 vite ka sjellë vetëm trofe dhe suksese për Shkodrën.
“Boksi mbetet një sport elitar që në Shkodër na ka bërë të gjithëve krenar, pasi janë fitues absolut dhe mbajnë rekorde prej 25 vitesh në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Përveç mbështetjes që nga ana ime dhe institucionit të Bashkisë Shkodër nuk do të mungojnë për këtë sport, me Presidentin e Federatës së Boksit Florend Kalivopulli, Trajnerin Zef Gjoni , kolegët e tij dhe boksiret diskutuam edhe për organizimin e Kampionatit Ballkanik të Boksit. Shqipëria është drejt zyrtarizimit si vendi organizator i këtij edicioni dhe ne kërkuam që të jetë Shkodra qyteti mikëpritës i këtij kompeticioni të rëndësishëm.”, shkruan në profilin e tij të rrjetit social, FB, njëshi i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia.
Presidenti Kalivopulli e cilësoi Bashkinë Shkodër si modelin e radhë në vend sa i përket mbështetjes që i ka dhënë boksit, ndërsa i shprehu mirënjohjen e tij kryetarit Spahia për gatishmërinë e treguar në organizimin e aktiviteteve.
Shqipëria pritet që këtë vit të jetë organizatore e kampionatit Ballkanik të boksit dhe kryebashkiaku Spahia kërkoi që të jetë Shkodra qyteti mikëpritës i këtij kompeticioni të rëndësishëm.
Mbështetja ndaj sportit të boksit dhe në tërësi të të gjitha sporteve do të jetë një prej prioriteteve të punës tonë të përditshme, u shpreh në mbyllje të fjalës së tij kryebashkiaku Spahia.
(Video) Kryetari i Bashkisë Shkodër, pret boksierët pjesëmarrës “Nata e Kampionëve” dhe stafin e trajnerëve, si dhe kreun e FSHB, Florend Kalivopulli.