Ndeshja e javës së 19-të të kategorisë Abissnet Superiore, Erzeni-Vllaznia, takim që do të luhet sot në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, do të vijë për shikuesit në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar(në RTSH Sport), ora 19:00. Një sfidë mjaft interesante mes dy skuadrave, që vijnë në këtë përballje pas humbjeve të pësuara në javën e kaluar. Kuqeblutë u mundën 1-0 në transfertë me Bylisin, ndërsa shijakasit u mundën 2-0 nga Tirana.
Në fushë do të zbresë edhe Partizani, që do të presë në shtëpi Egnatian, ora 19:00. Të kuqtë, që kanë përforcuar së fundmi sulmin me blerjen e 23 vjeçarit nigerian, Christian Mba, do të kërkojnë të përfitojnë nga ndalesa e Tiranës për tu afruar sa më shumë me kreun. Por përballë është një skuadër si Egnatia, mjaft komode në klasifikim, pavarësisht se ka larguar trajnerin Shpëtim Duro së fundmi.
Sfida tjetër e ditës së sotme është ajo mes Laçit dhe Teutës, ora 13:00. Dy skuadra që janë larg pritshmërive të fillimsezonit, por që së fundmi kanë dhënë sinjale të qarta se kanë mundësi të bëjnë më shumë.