“Sporti na bashkon ” ishte aktiviteti i organizuar nga Shoqata e Sportit Universitare duke pasur në fokus Turneun e Basketbollit, pjesë e së cilës ishin ekipet Vllaznia U-16 me trajner Ermal Milla, si dhe Klubet e Basketbollit Dardania e Prishtines, dy ekipet e Pejes, si dhe Klubi i Basketbollit Kosova.
Aktiviteti në fjalë i organizuar me iniciativen e Pedagogut të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe njëherazi, edhe në detyrën e trajnerit të ekipit të basketbollit, Vllaznia U -16 Ermal Milla, ka pasur mbështetjen edhe të rektores së Universitetit “Luigj Gurakuqi “Suzana Golemi, në bashkëpunim me trajnerin Kosovar Artan Piperku.
Pas dy ditëve ndeshje në palestrën sportive të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në finale janë ndeshur ekipet e Pejës dhe të Vllaznisë, ku skuadra pejana ka arritur të fitojë me rezultatin minimal 36-33 duke u shpallur fitues i këtij turneu.
Në mbyllje të aktivitetit, për ekipet dhe individët më të dalluar të turneut u shpërndanë çertifikata vleresuese, kupat dhe medaljet përkatëse.
Për trajnerët e ardhur nga Kosova, Daut Turku i Pejës dhe Artan Piperku i Prishtinës, aktiviteti në fjalë ia arriti qëllimit, pasi promovon sportin e basketbollit dhe afron edhe më shumë rininë e të vendeve, Shqipëri-Kosovë.
Ndërkohë, trajneri dhe pedagogu, Ermal Milla, drejtues i ekipit të basketbollit Vllaznia U-16, ndërsa u shpreh i kënaqur për zhvillimin e aktivitetit, komentoi edhe ekipin që ai drejton. Sipas tij, brezi që ai që po përgatitë është me shumë perspektivë, dhe se pjesëmarrja në turneun, “Sporti na Bashkon”, i ka shërbyer për një përvojë më shumë, në mënyrë që të japë më të mirën për fazën e dytë të kampionatit, ku ka objektiv fitimin e titullit kampion.
(Video) Pamje nga Turneu i basketbollit, “Sporti na bashkon”, organizuar nga Shoqata e Sportit Universitare Shkodër në bashkëpunim me ekipet kovare të basketbollit.
Prononcimet pas aktivitetit të trajnerit Vllaznia U-16 Ermal Milla, si dhe dy trajnerëve të basketbollit nga Kosova, Artan Piperku dhe Daut Turku
Gaspër MARKU