Partizani sfidon Bylisin në transfertë dhe ndjek Tiranën kryesuese me pikë të barabarta me Vllazninë

Bylis-Partizani 0-1(Shënues: Mensah 77’)

0 me 1 në favor të të kuqve ka përfunduar ndeshja në mes Bylisit vendas dhe Partizanit mysafir. Ndeshja e luajtur mesditen e sotme në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, ishte mjaft e dyluftuar. Vendasit e drejtuar nga trajneri Shensoi kërkonin patjetër pikët e plota, pasi, aktualisht, gjenden në zonën e “kuqe” të largimit nga kategoria Superiore. Ndërkohë, që Partizani me synime të tjera, duke qënë pretendent për trofeun e titullit kampion, kërkonte ti bashkohej Vllaznisë në ndjekje të Tiranës kryesuese.

Pas një pjese të parë e mbyllur në barazim, pa gola, 0-0, e dyta sjellë edhe ndryshimin e rezultatit.  Është Mensah, i cili erdhi nga stoli duke zëvendësuar Carën, që në minutën e 77’ e dërgon topin në rrjetën e portës vendase.

Goli i shënuar nga Partizani e ndez akoma më shumë luftën sportive, ku tashmë është skuadra vendase që këmbëngulë fort për të gjetur golin e barazimit. Nga ana tjetër, ka edhe tension në tribunat e stadiumit “Adush Muça”, ku tifozëria vendase, e pakënaqur me disavantazhin hedh sende në fushë duke bërë që ndeshja të ndërpritej për disa minuta.

Gjithësesi, me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës, takimi mbyllet në normalitet, dhe është Partizani që i gëzohet fitores minimale 0-1, por shumë të rëndësishme të kësaj ndeshje, e cila e  çon në kuotën e 34 pikëve duke u barazuar me pikë me Vllazninë, vetëm 3 pikë larg kryesues Tirana. Ndërsa, Bylisi, me këtë humbje mbetë në vendin e parafundit me 23 pikë, duke lënë prapa Kastriotin me 20 pikë, duke qënë në rrezik serioz për largimin nga kategoria Superiore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu