Veleçiku-Shënkolli 5-1
Shënues: Marsel Rragami 7’, 13’, Arsen Banushaj 18’, Arsen Hajdari 28’, 76’/ Mardedaj 90’
E shtunë, 25 shkurt 2023, ora 13:00, Fusha sportive “Duli”, Koplik
Veleçiku: L. Kaçaj, Elbasani, B. Çokaj, Zefi, Banushaj, Kaceli, Bardulla, A. Kaçaj, Rragami, Hajdari, Ujkaj(U aktivizuan: Mehmetaj, Ivziku, Elvis Rrustemaj, Shekaj, Elidon Rrustemaj. Trajner: Dritan Smajli.
Shënkolli: Kodra, Kaçorri, Macaj, Perlesi, Lleshi, Gjoka, Oliveira, Gjoka, Hoxha, Vukaj, Pergjoni.(U aktivizuan: Gjergji, Nikolli, Mardedaj, Lleshi). Trajner: Mirsad Gruda.
Gjyqtarë: R. Abazaj, G. Gegprifti, A. Spahiu/ I katërt: G. Cokaj
Veleçiku duket se është në rrugë të mbarë. Oshilacionet e shfaqura në javët e fundit të fazës së pare, që në një farë mënyrë bënë që presidenca koplikase të ndërhynte për marrjen e disa masave, janë zëvendësuar me lojra rezultative në fazën e dytë.
Pas fitimit në derbin e qarkut të Shkodrës duke mundur në transfertë, Murlanin me rezultatin 1-2, koplikasit e drejtuar nga trajneri Dritan Smajli fituan një tjetër derbi. Këtë radhë, kishim të bënim me një deri verior, atë Veleçiku-Shënkolli.
Ndeshja e luajtur pasditen e së shtunës në fushën sportive “Duli”, për llogari të Javës së 13-të të Kampionatit Kombëtar të kategorisë së dytë, është mbyllur me shifrat e thella 5 me 1 në favor të Veleçikut.
Sfida në fjalë është hapur me dy gola të shpejtë realizuar nga Marsel Rragami, përkatësisht në minutat, 7’ dhe 13’. Një avantazh ky 2-0 në favor të vendasve që godet psikologjikisht miqtë nga Shënkolli, të cilët pas pesë minutash ndëshkohen edhe me golin e tretë realizuar nga mjeshtri i goditjeve standarte, Arsen Banushaj.
Por, nuk mbaron me kaq, sepse, shumë shpejt, vjen edhe një gol i katërt në favor të Veleçikut me autor Hajdarin në minutën e 28-të, që i çon skuadrat në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e thellë 4-0 për koplikasit.
Epërsia e vendasve vijon të jetë prezente në fushën e lojës edhe gjatë 45 minutave të pjesës së dytë. Në të 76-tën minutë, Arsen Hajdari shënon golin e pestë për Veleçikun dhe të dytin personal në këtë ndeshje. Ndërkohë, shënkollasit, nuk arrijnë të shkojnë më shumë se sa të shënojnë një gol “nderi” në limitin e krejt takimit, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me fitoren e thellë, 5-1 në favor të Veleçikut.
Tre pikëshi i fundit, fituar ndaj Shënkollit, konfirmon formën e mirë që kalon Veleçiku. Fitore kjo, që e çon skuadrën koplikase në kuotën e 24 pikëve duke e renditur në vendin e tretë të klasifikimit. Pozicion ky, që shton shanset që në sezonin e ardhshëm futbollistik, Veleçiku të rikthehet aty ku e ka vendin, në kategorinë e parë të futbollit shqiptar.
Ndërkohë, humbja e Shënkollit në Koplik, e dyta radhazi, pas asaj që pësoi me Vorën javën e kaluar, i ka lënë në vendnumëro shënkollasit duke i pozicionuar në vendin e gjashtë me 17-të pikë, një më shumë sesa Iliria, e cila pas fitores me kryesuesen Sopoti është ngjitur në kuotën 16-të pikëve.
(Video) Pamje nga ndeshja, Veleçiku-Shënkolli, 5-1(Java e 17-të e Kategorisë së Dytë)
Gaspër MARKU