Java e 10-të e kampionatit të vajzave ka ulur siparin këtë të diel, me ndeshjen Apolonia – Kinostudio të zhvilluar ditën e sotme, teksa sfidat e tjera të javës u luajtën më herët. Faza e dytë e kampionatit nisi me derbin verior, me Vllazninë që u përball me Laçin. Kampionet në fuqi të vendit e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme këtë fazë të dytë, duke triumfuar me shifrat e thella 12-0. Në takimin e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”, shkodranet ishin dukshëm superiore, me gola të shënuar nga Luçije Gjini (1), Megi Doçi (8) si edhe Esmeralda Franja (3). Vllaznia renditet e vetme në krye të klasifikimit, me 30 pikë pas 10 javësh.
Të shtunën, Partizani siguroi gjithashtu një fitore të thellë ndaj Lushnjes. Kryeqytetaset triumfuan me shifrat 14-0 në ndeshjen e luajtur në stadiumin ‘Partizani’, një takim i dominuar totalisht nga të kuqet e drejtuara nga Ylli Shehu. Golat për Partizanin u shënuan nga: Bushati (3), Loci (2), Xhebrahimi, Dedgjonaj, Leba, Goro, Koka, Bilali, Shahu e Xhemollari.
Java e 10-të e kampionatit u mbyll me takimin Apolonia – Kinostudio. Një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja ekipet, ku nuk munguan golat, kartonat e verdhë dhe të kuq. Fieraket triumfuan me goleadë, me 9 gola të realizuar në portën kundërshtare. Troka shënoi 4 gola, teksa edhe Levenaj e Sesu realizuan nga dy gola të tjerë, ndërsa Nushi vulosi rezultatin.
Ndërkaq, dy takimet e tjera të javës, Tirana – Kukësi dhe Teuta – Skënderbeu nuk u zhvilluan për shkak se Kukësi dhe Skënderbeu nuk u paraqitën në ndeshjet përkatëse.
Ndeshjet e javës së dhjetë në kampionatin e vajzave:
KF Laçi 0–12 Vllaznia
Partizani 14–0 Lushnja
Apolonia 9–0 Kinostudio
Renditja aktuale:
Vllaznia 30 pikë
Tirana 24 pikë*
Apolonia 24 pikë
Partizani 19 pikë
Kinostudio 15 pikë
Teuta 9 pikë*
KF Laçi 7 pikë
Kukësi 6 pikë*
Skënderbeu 3 pikë*
Lushnja -3 pikë