Angjelo Radovani është një nga të rinjtë e talentuar të dalë nga ekipet zinxhir të Klubit të Futbollit Vllaznia, ku edhe është shpallur kampion me ekipin U-19. Falë të dhënave që disponon, shtatlartë, mjaft energjik dhe nuhatës tepër i mirë i golit, Radovani pati edhe një përvojë pozitive në shtetin fqinjë të Italisë, por menaxherët e rekomanduan se më mirë do të ishte aktivizimi fillimisht në kampionatin shqiptar. Dëshira ishte për të vijuar me Vllazninë, por strukturat drejtuese kuqeblu nuk ia dhanë këtë mundësi në periudhën e merkatos së verës, dhe për këtë Angjelo iu përgjigj pozitivisht ftesës së klubit ballshiot, Bylis, ku edhe kaloi pjesën e parë të sezonit futbollistik 2020-2021.
Lëvizjet më të fundit në kampin kuqeblu, ku nga gjiri i skuadrës pati firo me disa largime në kampionatin kosovar, por edhe në ekipe të tjera, bënë që drejtuesit që rishikonin pistën e Radovanit. Dhe, duke qënë se edhe vetë Radovani nuk e ndiente veten komod tek Bylis, në marrëveshje me drejtuesit e klubit të atjeshëm u largua nga Ballshi, dhe pasditen e sotme ka bërë realitet firmosjen me KF Vllaznia.
“”KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur akordin me futbollistin Angjelo Radovani. Sulmuesi 19 vjeçar shkodran pas një përvojë të shkurtër në Ballsh, rikthehet për të dhënë më të mirën e tij në klubin ku u formua si futbollist.
Me Radovanin është firmosur një kontratë trevjeçare dhe fillimisht do të luajë me ekipin e 21 vjeçarëve, por duke qenë vazhdimisht në vëmendjen e stafit të ekipit të parë.
Mirë se u ktheve në shtëpi, Angjelo!”, citohet në njoftimin që klubi kuqeblu ka shpërndarë për mediat.