Përpara nisjes së delegacionit të Akademisë “Atletik Klub Shkodra” pak ditë më parë drejt Italisë për Turneun Ndërkombëtar të Roveretos, drejtori teknik i këtij klubi, Elis Legata, ishte optimist se në këtë përfaqësim të 12-të radhazi, ekipet e tyre do të vijonin rrugën e sukseseve, ashtu siç kanë pasur realisht edhe në ato të mëpërshmit.
Dhe, një gjë të tillë ato e kanë realizuar përmes dy ekimeve më të spikatura për kategoritë e moshave U9 dhe U15, ekipe këto që u shpallën kampion duke fituar trofetë përkatës. Merita e këtyre dy sukseseve shkon edhe për dy trajnerët që drejtojnë këto dy ekipe, Eder Zmijanin e moshës 9 vjeçare dhe Saimir Kaloshi i 15 vjeçarëve, të cilët kanë ditur që të trajnojnë dhe të përgatisin futbollistët e vegjël në mënyrën më të mirë, gjë të cilën ato e pasqyruan më së miri në fushën e lojës.
Ekipet e tjera, megjithë përpjekjen e tyre maksimale për të shkuar tek fitorja e trofeut, nuk e arritën një gjë të tillë. Mes tyre është edhe ekipi i futbollit femra, i cili në edicionin e 11-të të vitit të kaluar u kthye me kupë në Shkodër, por që këtë radhë u eleminua në fazën gjysëmfinale.
Gjithësesi, me dy trofe të fituara, edicioni i 12-të i pjesëmarrjes në Turneun Ndërkombëtar të Roveretos, është konsideruar pozitiv nga ana e drejtuesve, por edhe opinionit sportiv shkodran, i cili, momentin e mbërritjes së ekipeve të Akademisë Klub Shkodra në qëndrën e qytetit të Shkodër e priti me entuziazem dhe ovacione.
Duke lënë pas turneun në fjalë, duhet thënë se përvoja e marrë në ballafaqimet me ekipet italiane dhe ato të shteteve të tjera të huaja, pritet t’i shërbejë ekipeve të Atletik Klub Shkodra për një rikthim të suksesshëm në vazhdimin e kampionateve kombëtare të grupmoshave që ato përfaqësojnë.
(Video) Momenti festiv i mbërritjes së ekipeve të Akademisë Atletik Klub Shkodra në qëndër të qytetit të Shkodrës.