Monday, November 25, 2024

(Intervista-Video) Personazh-Gjon Shyti, ish notari i Vllaznisë, sot trajner në kombëtaren turke. 1 mijë medalje të fituara në Itali, 800 në Turqi, “Qytetar Nderi” në Itali, kontratë e përjetshme me kombëtaren e Turqisë, pasaportë turke, së fundmi edhe “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër

Lexo

Gjon Shyti, është një emër i nderuar i sportit shkodran e më gjërë. Për ato nuk e njohin karrieren e tij sportive, i bëjmë me dije, se djaloshi i talentuar shkodran, që për nga e ëma, vjen edhe nga tradita e Shirokës së famshme, djalë teze me kampionin tjetër shirokas Tonin Radovani, ka qënë pjesë e ekipeve të Vllaznisë në not që në vitin 1973.

Fillimisht, me moshat nën drejtimin e trajnerit të njohur Halim Zaganjori, ndërkohë që në 1977 kalon me të rriturit nën drejtimin e trajnerit, Shuajp Mehmeti. Një notar që aplikonte të gjitha stilit, por më së shumtmi preferonte atë bretkosë, duke dhënë kontributin e tij në sukseset e vazhdueshme të Vllaznisë së asaj periudhe.

Talentin e tij si notar, e spikat edhe tek KS Partizani, i cili, ashtu si edhe për sportistë të tjerë cilësorë e bën të vetin gjatë viteve të shërbimit ushtarak, 1984-85. Fillimisht gjen në skuadër trajnerin Petrit Caslli, por të gjithë aktivitetin e tij dy vjeçar tek Partizani e vazhdon nën drejtimin e trajnerit Emin Lishi. Krahas kontributit si notar, duke dalluar që atëherë shenjat e një djaloshi me kapacitet dhe njohuri dhe aftësi në sportin e notit, shkodrani i mirënjohur Lishi, e aktivizon Gjonin edhe në detyrën e trajnerit të moshave tek Partizani.

Jo vetëm kaq, por pas mbylljes së bashkëpunimit me Partizanin, me kthimin në Shkodër, është vetë trajneri i Partizanit Emin Lishi që në bisedë me drejtuesit e sportit në Shkodër, i rekomandon atyre, që krahas aktivizimit si notar, Gjon Shytit t’i japin hapësira edhe si trajner, gjë për të cilen, gjatë prononcimit që Gjoni pati me Veriu Sport, shpreh mirënjohje dhe konsiderata për ish trajnerin e tij, Lishi.

Dhe ashtu ndodhi, viti 1986 e gjen Gjon Shytin, sërishmi notar të Vllaznisë, por edhe trajner me moshat. Falë punës së tij të mirë, Federata Shqiptare e Notit e përfshin në stafin e kombëtares, madje duke përfaqësuar Shqipërinë në dy aktivitete të rëndësishme, fillimisht në Athinë dhe më pas në Kampionatin Ballkanik të Turqisë.

Zhvendosja në Itali

Ashtu si edhe shumë bashkëqytetarë të tij shkodranë, për një jetë dhe aktivitet sportiv më cilësor, edhe  për Gjonin, preferohet largimi nga Shqipëria, dhe destinacioni është Italia. Kjo ndodhë në Tetor të vitit 1992 duke u sistemuar në Vittoria të Siçilisë, aty ku realisht nuk kishte asnjë traditë për sportin e notit. Por, fatmirësisht, mbërritja e Gjonit në këtë zonë përkoi me ndërtimin e një pishine moderne noti, duke krijuar mundësinë që drejtuesit ta aktivizonin menjëherë instructor me moshat e vogal.

Me iniciativen e tij, krijon  për herë të parë në atë qytet ekipet zinxhir dhe rezultatet e para ishin më të mirat në rang rajonal. Kaq mjaftoi, dhe autoritetet e komunës, krahas detyrës së trajnerit e emërojnë edhe përgjegjësin kryesor të aktivitetit të pishinës.

Duke pasur në krah edhe të vëllain e tij, Mondin, ish notar i Vllaznisë që korrë suksese edhe në kampionatin Italian, Gjon Shyti do të vijonte në sukseset e tij të njëpasnjëshme në garat rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Tashmë fama dhe përvoja e tij kalon përtej Siçilisë, ku Federata Italiane e Notit i beson drejtimin e kombëtares. Aftësitë e tija profesionale bëjnë që rezultatet pozitive të mbërrijnë kulmet, aq sa në konkurimet me sportistët e tij arrin të fitojë mbi 1 mijë medalje kombëtare dhe 60 ndërkombëtare.

Mes sportistëve të përgatitur personalisht nga duart e tij, ka shumë emra kampionësh në kampionatin italian, por edhe më gjërë, europian dhe botëror. Por, mes tyre, shkodrani Gjon Shyti ka dëshirë të veçojë Luka Marin, notarin e famshëm Italian, fitues i shumë trofeve  Europian dhe botëror, të cilin e ka stërvitur që në moshën 9 vjeçare deri në 22 vjeç.

Nën drejtimin e Shytit, Kombëtarja Italiane, arrin të shpallet 3 herë nënkampione bote, si dhe duke fituar medalje të shumta në Lojrat Olimpike të Athinës, etj.

Kontributi i tij në krye të kombëtares italiane zgjat deri në majin e vitit 2015, atëherë kur një oferte të ardhur nga Federata e Notit të Turqisë, Gjoni i përgjigjet pozitivisht.

Karriera në Turqi

Nga sa bën të ditur vetë Gjoni gjatë intervistës së dhënë për Veriu Sport, përzgjedhja e tij për t’u bërë pjesë e stafit të kombëtares turke ishte bërë në sajë të një projekti ambicioz që Komiteti Olimpik turk, me mbështetjen e qeverisë, kishte ndërmarrë për afirmimin e sportit të notit në rang kombëtar. Dhe, në listën e një numri të madh kandidaturash, CV-ja e tij ishte pëlqyer nga ana e drejtuesve të sportit turk.

Karriera e tij si trajner i kombëtares turke, i vendosur në Ankara, fillon në maj të vitit 2015 duke vijuar deri më sot, në prill të vitit 2023. Periudhë kjo, që regjistron fitimin e 800 medaljeve në rang kombëtar, si dhe 90-të të tjera ndërkombëtare.

I pyetur për disa nga rezultatet pozitive të arritura në krye të kombëtares turke, Gjoni të vendos në tavolinë një listë shumë të gjatë aktivitetsh, ku kanë fituar medalje si ekip dhe si individë.

Mes tyre, ne veçuam disa prej tyre, si Olimpiadën në Rio De Zhanerio, Universiadën Botërore në Taivan të vitit 2017 ku fituan medalje bronxi, Olimpiadën e Tokios, ku nga 10-të notar që përfaqësonin Turqinë, 6 ishin sportistë të përgatitur nga ai personalisht, Rekordin Botëror në 1500 me stil i lirë për femra, 2 Rekorde Europiane arritur në vitin 2021 për të rinj-femra, 2 Rekordet Europiane për moshat 16 vjeç, 400 dhe 800 m stil i lirë, 9 medalje Ari, 3 Argjendi, 2 Bronxi në Kampionatet Europiane të zhvilluara në Romë dhe Bukuresht, 3 medalje Ari, 1 Argjendi dhe 1 Bronxi në Kampionatin Botëror organizuar në Peru.

Vlerësimet

Falë punës së tij super profesionale të zhvilluar në Itali dhe Turqi, shkodrani Gjon Shyti, ka marrë vlerësime nga më të ndryshmet, diploma, kupa, tituj, etj. Krahas të tjerave, në Itali e kanë shpallur “Qytetar Nderi” të Siçilisë. Në Turqi, ku edhe aktualisht vazhdon punën si trajner i kombëtares turke, i kanë afruar një kontratë të përjetshme, ndërkohë që kanë nisur procedurat për pajisjen me pasaportë turke, e cila do të jetë e treta, pas asaj të Shqipërisë dhe Italisë. Në listën e vlerësimeve për trajnerin e mirënjohur të notit, Gjon Shyti është përfshirë edhe Bashkia Shkodër, e cila përmes kreut të saj, Bardh Spahia, këto ditë e nderoi trajnerin Gjon Shyti, me titullin “Mirënjohje”.

Ofertat

Italianët ia kanë ditur fort mirë vlerat trajnerit të tyre Gjon Shyti, por turqit u tregun më të shpejtë duke e zyrtarizuar me një kontratë afatgjatë në krye të kombëtares së tyre. Megjithatë, sipas Gjonit, kohët e fundit ka një interesim sistematik të Federatës Italiane të Notit, për ta rikthyer atë sërishmi në krye të kombëtares axure. Por, në të njëjtën kohë, interesime direkte ka edhe nga Zvicra dhe Belgjika, federatat e të cilave kërkojnë shërbimet e Gjon Shytit në krye të kombëtareve të tyre. Në këtë situatë, Gjoni, thotë se ndiehet komod në bashkëpunimin me kombëtaren turke, por gjithësesi, duhet pritur periudha në vazhdim, sesi do të shkojnë gjërat.

Absurditet!? Ftohtësia e Tiranës zyrtare

Ndërsa e pyesim për bashkëpunimet me Shqipërinë, Gjoni, bën të ditur ka shprehur gadishmërinë për të kontribuar në të gjithë aspektet me strukturat e notit në Shkodër, në një projekt të hartuar me dy kolegët e tij të notit të Vllaznisë, Kol Shiroka dhe Ridvan Gjeçaj. Ky i fundit, fatkeqësisht u nda nga jeta përpara kohe, pak ditë më parë, për të cilin Gjoni shpreh keqardhje, pasi së bashku me trajnerin aktual të Vllaznisë së moshave, Shiroka, ka qënë shumë i gatshëm për të mbështetur notin shkodran.

Por, ndërsa, flet me optimizëm për bashkëpunimin me qytetin e tij të lindjes, Shkodrën dhe Vllazninë, Gjoni shprehet paksa i habitur me qëndrimin që po mban Tirana zyrtare, dhe sidomso Federata Shqiptare e Notit, në drejtim të bashkëpunimit me të. Gjithësesi, ai thekson se nëse ka interes nga strukturat e notit shqiptare, ai është i gatshëm të kontribuojë falas në të gjitha aspektet që përvojën e tij pozitive të arritur në drejtimin e kombëtareve të Italisë dhe Turqisë ta vërë në dispozicion të Shqipërisë.

(Video) Intervistën e plotë në video me ish notarin dhe trajnerin e Vllaznisë, Gjon Shyti, më herët trajner i suksesshëm i kombëtares Italiane, si dhe sot trajner po aq i famshëm në kombëtaren turke, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport, në YOUTUBE.

Gaspër MARKU    

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img