Kukësi dhe Vllaznia përballen sot në stadiumin “Kukës Arena” në kuadrin e javës së 29-të të kategorisë Superiore. Për Armando Cungun, trajnerin aktual të kombëtares U19, i cili ka pasur rastin të drejtojë më herët të dy ekipet, sfida e sotme parashikohet të jetë shumë e fortë, pasi të dyja skuadrat kërkojnë fitoren, Kukësi për mbijetese dhe Vllaznia për Europën.
Sipas Cungut, Vllaznia nën drejtimin e maqedonasit Sedloski dha një sinjal pozitiv në fitoren e javës së kaluar me Erzenin, por do të jetë vazhdimësia që do të provojë nëse ishte dora e teknikut apo ishte një ndeshje e nxjerrë nga vetë lojtarët ajo ndaj Erzenit. Duke folur për “Panorama Sport”, Cungut mendon se arritja e objektivit minimal që është pjesëmarrja në Europë e Vllaznisë është e arritshme. Duket lënë të kuptohet se tani beson pak për titull. Ndërsa duket komentuar shortin e Kupës ai Vllazninë e shikon si të penalizuar nga fati. Megjithatë shpreh besimin se kuqeblutë do të arrijnë që t’ia dalin.
Si e patë Vllazninë në takimin ndaj Erzenit?
Pamë një ekip totalisht më të motivuar, më me grintë dhe ishte diçka ndryshe në atë takim. Por dua që të them nuk e di nëse ai takim ishte si meritë e asaj që afroi trajneri apo ishte një ndeshje që doli nga vetë lojtarët. Mund të them se është herët për të thënë se u ndje që në takimin e parë dora e trajnerit. Dora e trajnerit do të shihet në këto takime që janë deri në fund.
Besoni që skuadra do të vazhdojë në këtë mënyrë edhe në takimit e tjera, duke ia nisur që nga takimi i radhës?
Uroj që kjo performancë të jetë e vazhdueshme. Ekipi të krijojë një balancë vazhdimësie, që i ka munguar në këtë edicion. Shpresoj që takimi me Erzenin nuk ishte një takim spontan, por që i përket vazhdimësisë. E pashë edhe më lart, tani do të shihet nëse ndryshimi ishte trajneri.
Sot përballë Kukësit, si e shikoni këtë përballje?
Një përballje shumë delikate për të dy skuadrat. Kukësi nëse nuk arrin të marrë maksimumin po humbet në këtë takim dhe fut veten në valle për mbijetesë. Duhet vlerësuar puna që po bën tekniku Hallaçi dhe për më shumë duhet thënë se ka një grup të mirë lojtarësh, paçka se rezultatet i kanë munguar. Ndërsa Vllaznia kërkon që të jetë në luftë për një vend në Kupat e Europës. Kërkohet vazhdimësia në rezultate dhe për të qenë brenda objektivave të veta.
Nëse vazhdohet si me Erzenin, e shikoni Vllazninë fituese?
Jam optimist se nëse vazhdohet me këtë ritëm Vllaznia del fitimtare edhe në takimin ndaj Kukësit, pavarësisht se është një përballje shumë e vështirë siç e thashë edhe më lart. Por mbetet për t’u parë nëse vazhdohet kështu. Po shikojmë të gjithë ekipet e jo vetëm Vllazninë, që në këtë sezon kanë treguar se nuk kanë ruajtur vazhdimësinë. Kanë pasur luhatjet e tyre nga ndeshja në ndeshje. Le të shpresojmë që Vllaznia të ketë një ecuri pozitive tani e deri në fund.
Kampionati?
Jam pak skeptik në këtë drejtim. Mendoj se janë shumë pikë diferencë. Megjithatë mund të them se arritja e Kupave të Europës është një objektiv më se i arritshëm. Mendoj ky do të jetë edhe fokusi i Vllaznisë.
Po Kupa është një objektiv i arritshëm, ç’ka do të ishte diçka tejet e bukur, për të tretin vit me radhë fituese e saj?
Do të ishte më shumë se e bukur një gjë e tillë. Por mund të them se Vllaznia nuk u favorizua nga shorti. Madje mund të them se përballë ka një nga ekipet që luan në mënyrën më të mirë të mundshme në manovrën sulmuese. Ka lojtarë të mirë në mesin e fushës e sulm. Megjithatë edhe Vllaznia ka grup me shumë emra dhe cilësi. Unë gjithmonë jam optimist për Vllazninë dhe besoj dhe shpresoj që ta shikoj në finale dhe pse jo për të tretin vit me radhë fituese të këtij kompeticioni.