30 vjetori i hapjes së shkollës së parë të Judos në Vaun e Dejës. Ambasadori i Japonisë, Takada Mitsuyuki, përgëzon themeluesin e këtij sporti, Anton Shkoza dhe premton mbështetje për vazhdimësinë

Për Anton Shkozën, njeriun që themeloi për herë të parë sportin e Judos në Shkodër dhe Vaun e Dejës, dje ka qënë një ditë e veçantë. Në Vaun e Dejes, aty ku është edhe kryeqëndra e këtij sporti, nën kujdesin personal të Mjeshtrit të Madh të këtij sporti, Anton Shkoza, 30-të vite më parë u hap shkolla e parë e Judos.

Ndaj, në këtë ditë të shënuar, krahas autoriteve vendore dhe qëndrore, i pranishëm ka qënë edhe Ambasadori Japonez i Akredituar në Tirane, z. Takada Mitsuyuki, vendi i të cilit e ka shumë të zhvilluar këtë sport.

Anton Shkoza, ish kampioni i madh i Judos shqiptare, si rezultat i një aksidenti në stërvitje e sipër, prej vitesh vuan të qënurit në paralizë të pjeshshme, por sporti i Judos është jeta e tij.

I konsideruar si legjenda e gjallë e Judos shqiptare, edhe pse është i sistemuar në karrocën e invalidit, falë edhe bashkëpunimit me tre fëmijët e tij, Auroren, Luigjin dhe Xhovanin, të cilëve u ka trashëguar pasionin dhe traditën e këtij sporti, që të tre kampionë dhe trajnerë të suksesshëm, Anton Shkoza vazhdon ta drejtojë me shumë energji dhe pasion këtë sport. Sportistët dhe ekipet e tij të Vaut të Dejës dhe Vllaznisë, janë kampionë të padiskutueshëm kombëtar dhe medalista ndërkombëtarë.

E gjitha kjo, ka befasuar, por në të njëjtën kohë ka motivuar Ambasadorin Japonez, Takada Mitsuyuki, që krahas përgëzimit për sakrificat e bëra në gjithë këto vite nga Anton Shkoza me familjen e tij, t’i afrojë ndihmë dhe mbështetje në bazë materiale dhe aspekte të tjera, të cilat pritet të bëhen realitet në ditët në vazhdim.

Gaspër MARKU

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu