A do të jetë beteja për titullin e kampionit të Superligës së Kosovës në futboll një betejë midis dy trajnerëve të ardhur nga kryeqyteti i Shqipërisë Tirana. Kjo është pyetja që është ngritur në mjedisin futbollistik në Kosovë, teksa është mësuar se barazimi pa gola në Dukagjin përballë skuadrës vendase i ka kushtuar kreun e renditjes Dritës, pasi fitorja minimale e Ballkanit në fushën e Drencisës së Skënderajt, e ka rikthyer në vendin e parë kampionen në fuqi, të drejtuar nga trajneri Ilir Daja.
Dhe kjo ka çuar në dorëheqjen e trajnerit të Dritës, Arsim Thaqi, me klubin gjilanas që tashmë është në kërkim të një emri të ri për stolin, me Mirel Josën të përmendur si një kadidaturë. Në një bisedë të shkurtër telefonike me RTSH Sport, Josa e ka pohuar ofertën e klubit nga Kosova, por ai nuk ka vendosur ende. “Po, kam patur kontakte me Dritën, madje, që të jem i sinqertë me ju, kam patur kontakte me ta që në dhjetor të vitit të shkuar, por atëherë isha tek Vllaznia”, – ka zbuluar 59-vjeçari në bisedën e tij me RTSH Sport.
“Por ende jam i pavendosur, – ka vijuar ai. – Kam shumë pikëpyetje në kokë sa i përket skuadrës atje, e për më tepër për momentin në të cilin vjen kjo ofertë, teksa në Kosovë kanë mbetur edhe 7 javë për t’u luajtur në Superligë. Pra, po mendohem gjatë për shumë arsye dhe, në këto çaste që po flasim nuk mund t’ju jap një përgjigje, sepse edhe më ka kapur disi të papërgatitur kjo situatë”, – ka përfunduar Josa, duke sqaruar për RTSH Sport se mund të ketë gjatë këtyre dy ditëve në vijim një takim me drejtuesit e Dritës.
Nëse do ta pranonte këtë ofertë, Mirel Josa do të kishte një duel për titullin e kampiones në Kosovë me një njohej të vjetër si Ilir Dajën, 56-vjeçarin që po drejton me sukses Ballkanin. Për më tepër, ky do të ishte një rikthim në Kosovë për Josën, që ka drejtuar për thuajse dy vite Prishtinën, duke fituar edhe trofeun e Kupës në 2018-ën. Kujtojmë se Josa u largua nga Vllaznia më 20 mars të këtij viti.