Peshëngritësi shkdran, Erkand Qerimaj, vazhdon të bindë në garat ndërkombëtare. Në kampionatin Europian që po mbahet në Jerevan të Armenisë, Qerimaj u rendit i pesti në stilin e shkëputjes dhe i 11-ti në atë të shtytjes, duke u renditur i 10-ti në dygarësh.
Konkretisht, Qerimaj, si konkurues në Baterinë B, ngriti 150 kilogram në stilin e shkëputjes, ndërsa në stilin e shtytjes fiksoi mbi shtangë 168 kilogram duke bërë që shuma e përgjithshme në dygarësh të jetë me 318 kilogram.
Nga ana tjetër, peshëngritësi tjetër i kombëtares shqiptare, Briken Calja nuk ka shkuar aspak mirë në përfaqësimin e kësaj radhe për Europianin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Jerevan të Armenisë. Edhe gara e Caljes është zhvilluar ditën e djeshme, ku në konkurimin e stilit të shkëputjes dështoi në provën e parë me shifrat 151 kilogram. Po kështu dështoi edhe në provën e dytë me të njëjtën shifër, ndërkohë që në provën e tretë e rriti peshën në boshtin e tij me një kilogram më shumë, 152 të tilla, por përsëri nuk arriti ta ngrejë shtangën. Ps dështimit në stilin e shkëputjes, në konkuriminin e stilit të shtytjes, Calja nuk u paraqit fare duke e mbyllur keqas këtë pjesëmarrje të tij në Europian.