Saturday, May 18, 2024

Liga e Kampioneve-Milani dhe Real kalojnë në gjysmëfinale, sot dy çerekfinalet e tjera, Inter-Benfika dhe Bajern-Manchester City

Lexo

Liga e Kampioneve të Europës është rikthyer mbrëmjen e së martës me dy sfida shumë interesante të luajtuara në Napoli dhe Londër. Në derbin e dy skuadrave italiane, Milani erdhi me synimin për të mbrojtur atë fitore minimale të arritur javën e shkuar. Ndonëse Napoli ka bërë një vëllim më të madh loje në pjesën e parë, është Milani që ka qenë më i rrezikshëm dhe, ndonëse Zhiru ka shpërdorur një 11-metërsh e më pas një rast të mirë për të shënuar, francezi ia ka dalë ta gjejë më në fund rrugën e rrjetës në minutën e 43-të.

Me këtë epërsi minimale të kuqezinjve mbyllet pjesa e parë në Itali, ndërsa edhe në të dytën, është Napoli që këmbëngul dhe fiton një 11-metërsh 8 minuta para fundit të kohës së rregullt, por portieri Menjonj i thotë “Jo” Khavartskhelias nga pika e bardhë, duke e mbajtur të paprekur rrjetën e tij. Ndonëse Osimhen do ta gjejë golin në minutën e 3-të shtesë, është shumë pak dhe shumë vonë për Napolin, që, përtej barazimit 1-1 në fushën e vet, eliminohet në çerekfinale, pasi është Milani që kualifikohet për më tej në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve.

Ndërkaq, në Londër, pjesa e parë midis Çelsit dhe Realit të Madridit është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndonëse duhet theksuar se ka qenë skuadra vendase që e ka mbizotëruar plotësisht lojën dhe ka patur raste për shënim, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës, përballë miqve të kënaqur të mbrojnë fitoren dygolëshe të arritur në shtëpi në ndeshjen e parë javën e shkuar.

E njëjta tablo ka qenë edhe në pjesën e dytë, por Reali ka rezultuar vrastar në kundërsulm dhe Rodrigo do të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 58-të. Dhe fati i këtij çifti çerekfinalist do të vuloset 10 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur i njëjti lojtar, Rodrigo, do të shënojë edhe golin e dytë të madrilenëve, që përsërisin kështu fitoren e ndeshjes së parë edhe në ndeshjen e kthimit dhe janë në gjysmëfinale.

Liga e Kampioneve të Europës vijon sot me dy çerekfinalet e tjera, Inter-Benfika dhe Bajern-Mançestër Siti, prej të cilave do të dalin dy ekipet e tjera gjysëmfinaliste për të vijuar garën me Milanin dhe Realin të kualifikuar mbrëmjen e djeshme.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img