Viktor Jubani është një nga emrat simboll të qytetit të Shkodrës. Karrieren më të madhe ai e pati në fushën e sportit duke qënë një ndër volejbollistët më të spikatur të Vllaznisë, por edhe të Studentit ku ishte student në kryeqytet, për të vijuar edhe me Dinamon, si dhe ekipin kombëtar, ndërkohë që pas shkëputjes nga aktiteti si sportist kreu me devotshmëri edhe detyrën e trajnerit të moshave, si dhe të ekipit të parë të Vllaznisë.
Por, nuk ishte vetëm sporti që e bëri të njohur Viktor Jubanin, pasi spikatja e tij ishte edhe në fushën e Shkencave të Natyrës, për të cilat ai studiuoi duke shërbyer për komunitetin shkodran dhe më gjërë kryesisht në fushën e mjedisit.
Por, ndërkohë, shumë të njohur e bënte Viktor Jubanin në opinionin shkodran dhe më gjërë edhe të qënurit shumë aktiv në fushën e artit, ku falë pasionit të tij për muzikën, sidomos asaj të huaj, ka qënë pjesë e sa e aktiviteteve muzikore ku me përformëncën e tij me grupet muzikore të Shkodrës, ka marrë admirimin e komunitetit.
Viktori, pjesë e një familje shumë të njohur dhe me traditë qytetare shkodrane, ka pesë vite që është ndarë nga jeta, por emri dhe jehona e tij si një qytetar model dhe i shumëanshëm për shoqërinë, e bën atë shumë të respektuar, jo vetëm në sport, por edhe në fushat e tjera të jetës.
Sot, me 28 prill, nëse do të jetonte, Viktori do të festonte 80-të vjetorin e lindjes. Ndaj, në respekt të kësaj figure dhe kontributit të tij në sportin e volejbollit, Federata Shqiptare e Volejbollit e nderoi Viktor Jubanin me titullin “Mirënjohje”.
Ka qënë vetë Presidenti i FSHV, Erlind Pëllumbi, i cili i ka dorëzuar djalit të Viktor Jubanit, Entoni Jubani, dekoratën në fjalë.
“Federata Shqiptare e Volejbollit ndan “Mirënjohje” (pas vdekjes) për një nga figurat e shquara të saj, Z.Viktor Jubani i cili lindi në 28 Prill 1943 dhe sot do të mbushte 80 vjet, por në moshën 75 vjeçare u nda nga jeta duke lënë pas një histori të skalitur për volejbollin shqiptar.
Viktor Jubani lindi në Shkodër dhe filloi aktivitetin sportiv në vitin 1958 me ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Në vitin 1959 u grumbullua me Ekipin Kombëtar të Volejbollit.
Nga viti 1961-1966 ka qenë student në Fakultetin e Shkencave te Natyres USH dega Bio-Kimi. Gjatë kësaj periudhe u aktivizua me ekipin e volejbollit ”Studenti”, ku ka luajtur në rolin e shuterit kryesor dhe kapiten i skuadrës.
Në vitin 1962 është grumbulluar përsëri me Ekipin Kombëtar të Volejbollit, kampionati botëror në Moskë.
Në vitin 1966 ka kaluar me ekipin kampion Dinamo që do të luante në Kupën e Kampionatit të Europës, edicioni 1966-1967 ku arritën deri në fazën 1/8 dhe u eleminuan nga ekipi Blokker Den Hag me diferencë pikësh 1 më pak.
Ne vitin 1986 u caktua si trajner i ekipit të volejbollit të para-të rinjve e më pas i të rinjve të Vllaznisë.
Në shtator të vitit 1989 u emërua trajner i ekipit të parë të të rriturve të Vllaznisë duke zënë vende nderi.
Viktor Jubani deri në vitet e fundit të jetës është thirrur herë pas here nga Klubi Sportiv Vllaznia për të dhënë mendime e kontribute të ndryshme në rritjen e cilësisë së volejbollit, trajnerëve dhe brezave të ardhshëm.
Mirënjohje dhe respekt për kontributin e paçmuar”, shkruan institucioni i FSHV-së në postimin zyrtar të shpërndarë për publikun.
Gaspër MARKU